Një kompani private e këshillimit, me bazë në Prishtinë, ka paralajmëruar se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pritet të hapë thirrje për aplikim për grante për vila malore.
Lion Consulting, një kompani e regjistruar në rrjete sociale, por e cila nuk figuron me këtë emër në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka ftuar qytetarët që të kryejnë shërbimet e aplikimit në kompaninë e tyre, ndonëse thirrja për aplikim nuk është bërë ende publike nga Ministria e Bujqësisë.
Nuk është konfirmuar ende nëse kjo thirrje do të publikohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Paparaci, ka dërguar pyetje në drejtim të MBZhR-së për të kërkuar sqarime nëse ekziston në planin buxhetor të Ministrisë hapja e një thirrje për grante për vila malore dhe nëse një thirrje e tillë do të hapet zyrtarisht, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkaq, nga kompania ‘Lion Consulting’ kanë thënë për Paparacin se thirrja nga Ministria e Bujqësisë do të hapet më 1 nëntor.
Një person i autorizuar i kësaj kompanie, në një bisedë telefonike me Paparacin, tha se kushti kryesor për përfitimin e grantit është që toka ku do të ndërtohet villat, të ketë lartësi mbidetare mbi 700 metra.
“Thirrja nuk është hap ende, do të hapet me 1 nëntor por neve na merr kohë një jave me u marrë me një klient, për atë arsye e kemi vendos thirrjen për aplikim më herët“, është shprehur një përfaqësues i ‘Lion Consulting’.
