Trajneri Ismet Munishi duket se ka hatërmbetje me klubin e Lirisë pas deklaratës së tyre, ku demantuan lajmet për transferimin e Munishit.
Përmes një postimi, Munishi ka njoftuar se nuk do të jetë trajner i Lirisë, teksa do ta vazhdojë punën e tij si analist në Televizionin 7.
Në postimin e tij, Munishi ka deklaruar se ai vlen sa 4 trajnera, duke iu referuar deklaratës së klubi prizrenas.
“Njoftoj opinionin publik se unë ismet Munishi vlej fiks sa 4 trenera. Respekte per klubin e madh Fc Liria dhe tifozet Arpagjikët. Por une nuk jom trener i konkurseve. Do të vazhdoj si analist në T7 Favorit edhe për një kohë shumë të mirë”, thuhet në deklaratën e Munishit.
Ish-trajneri i Ferizajt kishte deklaruar për Indeksonline se do të marrë drejtimin e Lirisë, ku janë duke u vendosur vetëm detajet në kontratë. Por, një deklaratë e Lirisë duket se ka prishur pazaret.
Klubi nga Prizreni kishte demantuar lajmet, duke thënë se akoma nuk kanë vendosur se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës pasi që janë në bisedime me katër trajnerë.
