Dy policë kanë mbetur të plagosur në një grabitje të armatosur nga një grup i armatosur kriminal që cak kishin një nga argjendaritë e qytetit të Suharekës. Njëri nga policët është plagosur në këmbë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të natyrës së lehtë gjatë përleshjes me armë me grabitësit.
Ndërkohë janë publikuar pamje të argjendarisë pas grabitjes.

Paparaci.com ka mësuar dinamikën e ngjarjes që ka tronditur sot qytetin e Suharekës.
Katër persona të armatosur e të maskuar ia kishin mësyrë argjendarisë “Diakos” në qytetin e Suharekës, ndërsa në stacionin policor të Suharekës ishte përcjellë lajmi për ngjarjen. Reagimi nga policët e stacionit ishte i menjëhershëm.
Me të arritur në vendngjarje, policët janë përballur me rezistencë të armatosur nga grabitësit. Njëri prej tyre ishte duke bërë roje me kallashnikov ndërsa tre të tjerë ishin duke mbushur çantat brenda argjendarisë.
Në përplasje e sipër me grabitësit, një nga policët është plagosur në këmbë nga arma e zjarrit, në anën tjetër një polic tjetër është lënduar si pasojë e përleshjes me armë me grabitësit.
Këto të dhëna për Paparaci.com i ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi. Ai ka thënë se policët i janë përgjigjur vendit të ngjarjes me shpejtësi.
Policia e Prizrenit gjithashtu ka thënë se identifikimi i grabitësve do të jetë i vështirë, por megjithatë, policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime speciale operacionale.
Policia aktualisht ka aktivizuar “unazën e çeliktë”, sistemin e vendosjes së pikave të shtuara të Policisë në lokacione të ndryshme për të lokalizuar e identifikuar veturën e dyshuar me të cilën u larguan personat që grabitën biznesin e argjendarisë në Suharekë.
“Është aktivizuar ‘unaza e çeliktë’ në bazë të informacioneve që janë për veturën e dyshimtë. Janë krijuar disa pika kontrolli në vendet nga mund të ketë shkuar vetura e dyshuar, edhe një veturë është dëmtuar e Policisë nga gjuajtjet me armë që kanë bërë”- tha drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija. /Paparaci.com/
