Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani ka thënë se nuk është kundër rikthimit të transmetimit të kanaleve ‘Arena Sport’, të cilat ishin pezulluar me vendim të KPM-së rreth tre muaj më parë.
Shabani, anëtar i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike dhe Media, tha se nuk e kupton kërkesën e deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të KPM-së.
Ai ka thënë se çdo qytetar që e ka takuar, e “që merret me sport”, është ankuar te ai për pezullimin e transmetimit të kanaleve ‘Arena’.
“Mua më duket e arsyeshme kjo që e tha kryetari se për 24 orë e kemi marrë vendimin për pezullimin e atyre kanaleve. Dikush e përmendi këtu se nuk ka qytetar që dëshiron të kthehen kanalet e Arena Sportit sepse janë në kundërshtim me interesin nacional. Unë s’kisha thanë ashtu. Unë po thom që çdo qytetar që e takoj, që merret me sport, thotë se jena dëmtu që nuk po mund t’i përcjellim ndeshjet e sportit, ndeshjet e Premier Ligës”, ka thënë Shabani.
Komisioni Parlamentar i ka ftuar sot për raportim në një seancë të jashtëzakonshme anëtarët e Bordit të KPM-së, tri ditë pas shfuqizimit të vendimit për pezullimin e kanalevt të ‘Arena Sport’.
Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.
