Gjykata e Pejës e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim Shaban Gogajn, të akuzuarin për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018 në lokalin “Gogaj AG”.
Vendimin e ka marrë trupi gjykues i udhëhequr nga Violeta Husaj-Rugova, Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.
Akuza e prokurorisë përfaqësohet nga prokurori nga Gjilani, Isuf Sadiku.
Kujtojmë që Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj dënim me burgim për armëmbajtje dhe për vrasje nga pakujdesia.
Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, më 14.10.2022 kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Gjykata të njëjtit i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Lidhur me këtë vendim të Themelores nuk ishin pajtuar Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas Apelit, në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
