Të fundit

Republika Serbe kërcënon me ndarje nga BeH nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Serbe do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”, njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Serbe në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Serbe.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Serbe, e as Serbia.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë./rel

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci