Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit për financimin e rrugës “Prishtinë – Mitrovicë” ku ishin prezent ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan A. Almarshad.
Në fjalën e tij hapëse, Ministri Murati tha se me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë përmbyllet edhe pjesa e mbetur e financimit të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugës “Prishtinë – Mitrovicë”.
Ministri Murati theksoi përkushtimin e Qeverisë për të thelluar marrëdhëniet me Mbretërinë e Arabisë Saudite drejt investimeve në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, Ministri Aliu tregoi se ky projekt synon modernizimin e rrugës dhe vjen në linjë me punët dhe prioritetet e Qeverisë të cilat çdo herë synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ministri Aliu gjithashtu theksoi se ky projekt është i pari projekt infrastrukturor në Kosovë që mbështetet nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe se synohet që pas këtij projekti, partneriteti të thellohet edhe më tej.
Ndërsa, Drejtori Almarshad përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës duke theksuar se projekti për financimin e magjistrales “Prishtinë – Mitrovicë” parasheh zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale duke e zvogëluar kështu edhe trafikun.
Drejtori falënderoi Qeverinë për mirëpritjen duke përmendur edhe njëherë rolin e projektit për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në shkurt të këtij viti ministri Aliu pati njoftuar se kanë nënshkruar kontratën e re për zgjerimin dhe përfundimin e kësaj rruge.
Ajo ishte nënshkruar një vit pas shkëputjes së kontratës së vjetër.
