Majori Qazim Reka në një deklaratë për media ka treguar detaje të reja lidhur me rastin, duke shtuar se polici nuk ishte në detyrë në kohën kur kreu vrasjen.
Ai po ashtu ka njoftuar se polici nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar dhe shtoi se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S.”, ka thënë ai.
“Deri tani është arrestuar i dyshuari, tani merren Inspektorati Policor dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj. Viktima është bartur nga vendi i ngjarjes. Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.
Burimet e Paparacit kanë thënë se i vrari është Sadri Sadriu, ndërkaq i dyshuari për vrasjen e tij është polici i Kosovës, Festim Ramadani.
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shumë njësi të tjera policore si dhe prokurorin kujdestar.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme.
Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka vdekur.
I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
