Derisa Kosova po përballon krizën e saj më të rëndë energjetike të dekadës së fundit, Xhelal Gashi po mendon të mbyllë furrën e tij në Prishtinë.
Siç shkruan sot agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, ai po përpiqet të mbulojë kostot e karburantit të gjeneratorit prej se filluan reduktimet energjetike gjatë këtij muaji.
“Zakonisht paguaj rreth 300 euro për faturat e energjisë elektrike, por tani po shpenzoj 100-110 euro në ditë për të blerë naftë për gjeneratorin”, tha Gashi, i cili punëson 10 veta në furrën e tij.
Shumë biznese dhe familje në Kosovë kanë nxjerrë gjeneratorët e energjisë që kur kompania e shpërndarjes së energjisë në vend, KEDS njoftoi javën e kaluar se do të ketë reduktime energjetike.
Pothuajse të gjitha vendet e Evropës po përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike.
Gjendja energjetike është përkeqësuar në Kosovë, ku prodhimi i ulët vendor, për shkak të defekteve teknike në termocentralet e vjetra, po e detyron vendin të importojë shumë më tepër energji sesa normalisht.
Të premten, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për 60 ditët e ardhshme, e cila do t’i lejojë asaj të ndajë më shumë para për importet e energjisë dhe ndoshta të prezantojë masa edhe më të ashpra dhe më shumë ndërprerje të energjisë.
