Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar qeverisjen Kurti, duke thënë se vendi nuk ndërtohet e as qeveriset gjithmonë me mashtrim.
Kryetari i AAK-së në një postim në Facebook ka shkruar se askush më nuk u beson shifrave të qeverisë Kurti.
“Albin, në Kosovë për katër vite nuk është krijuar asnjë vlerë e re, as politike as ekonomike dhe nuk ka progres në asnjë sferë të jetës. Kemi sanksione nga BE dhe kemi humbur për një vit rreth 500 milionë EURO veç nga këto masa. E ke dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në integrime euro-atlantike dhe askush nga vendet aleate nuk të sheh si partner por si person që duhet menaxhuar. Ke dëmtuar raportet me investitorë dhe ke mbajtur ata larg nga Kosova. Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeministrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe”, ka shkruar Haradinaj.
“Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, shtoi ndër të tjera.
