Basketbollisti 20-vjeçar nga Mitrovica, Anes Gashi, është emëruar kapiten i skuadrës së Trepçës para legjendës të qytetit Drilon Hajrizi.
Pas raportimeve për një largim të mundshëm të Hajrizit nga Trepça, klubi mitrovicas ka dalë me njoftim sot se Hajrizi do të jetë pjesë e skuadrës.
Mirëpo, në njoftimin e kampionit të Kosovës bëhet e ditur se Hajrizi nuk do të jetë kapiten i skuadrës. Bordi thuhet se ka marrë vendim që Anes Gashi të jetë kapiten i skuadrës.
“Të nderuar dashamirë e simpatizant të Klubit. Ju informojmë se me vendim të Bordit të klubit, kapiten është emëruar Anes Gashi. Drilon Hajrizi është pjesë e Trepçës. Ne i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe rikthimin e tij në parket”, thuhet në njoftimin e klubit.
Paparaci merr vesh se tifo-grupi mitrovicas “Torcida” nuk kanë lejuar që Hajrizi të jetë kapiten i skuadrës. Kjo për shkak të disa mos-marrëveshjeve para shumë viteve kur Hajrizi ishte larguar nga klubi.
Hajrizi kishte hasur në probleme me “Torcidën” edhe gjatë sezonit që lamë pas, ku i njëjti ishte fyer nga disa pjesëtarë të “Torcidës” në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Përkundër sukseseve e arritjeve shumë vjeçare, Hajrizi nuk do të jetë kapiten i klubit të Trepçës.
