Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka shprehur ngushëllimet e tij me rastin e vdekjes së ambasadores së parë të ShBA-së në Kosovë , Tina Kaidanow.
Sejdiu ka shkruar se Kaidanow karakterizohej me energjinë dhe përkushtimin e saj për të punuar në kohët kur diskutohej për statusin politik të Kosovës dhe pas pavarësisë.
“Kisha raporte jashtëzakonisht të mira. Në veprimtaritë e saj të përgjithshme të atyre viteve, nuk mund të gjej asnjë detaj që ajo tregoi shenja lodhjeje. Natyrisht se ishte e përzgjedhura e Presidentit Bush dhe Sekretares së shtetit Condoleezza Rice që ajo Kaidanow të jetë ambasadorja e parë e SHBA-ve në Kosovë. Shoqëria e Kosovës dhe shteti ynë ishin me shumë fat që ajo gjendej në vendin e duhur në kohën e duhur”, ka shkruar Sejdiu.
Sejdiu tutje ka treguar se Kosova ishte vendi i parë në të cilin Kaidanow emërohej Ambasadore Fuqiplotë.
“Lajmin e parë se ishte e propozuar për ambasadore e SHBA-së në Kosovë, qe dita kur diskutonim për Deklaratën e Pavarësisë, takim në të cilin ishte edhe zëvendësndihmësja e sekretares së Shtetit, Rosemarie DiCarlo dhe personalitete të rëndësishme nga SHBA-ja. Ishte shumë e ngazëllyer ngase gradohej për së pari në rangun e ambasadores fuqiplotë, pra ishte rangu më i lartë diplomatik dhe se caktohej në vendin që do të jetë shteti më i ri në Evropë”, ka shkruar Sejdiu, duke ndarë detaje nga libri i tij “Ora e Kosovës – pavarësia dhe shtetndërtimi”.
Madje ish-presidenti në këtë kontekst ka ndarë një ngjarje të pazakontë.
“E pazakonshmja në këtë proces, por jashtëzakonisht simpatike qe ngjarja kur ne ndodheshim në SHBA në vizitën shtetërore, ku ishte organizuar edhe takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin George W. Bush. Pas takimit me sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, ajo na ftoi në ceremoninë e emërimit të zonjës Kaidanow për Ambasadore Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Kjo nuk ishte praktikë e zakonshme. Por, ja se ishte një ngjarje shumë domethënëse diplomatike, ka shkruar Sejdiu.
