Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka reaguar pas një kallëzimi penal të bërë ndaj saj nga deputetë të opozitës.
Padia është bërë nga anëtarët e Komisionit hetimor për tekstet shkollore, të cilët konsiderojnë se ministria ka bërë shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.
Nagavci ka thënë se “kjo është shumë e pritshme nga këto subjekte kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur”.
Nagavci tutje ka shkruar se ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu siç u hodh edhe i kaluari.
“Nga librat duhet të përfitojnë së pari dhe kryesisht nxënësit, jo grupet e interesit. Një gjë është e sigurt, pavarësisht të gjitha tentativave për t’i sprapsur vendimet tona të drejta, NE NUK DO TË NDALEMI!”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
