Të fundit

Gjuha shqipe zyrtare në RMV: Kurti ia huq me deklaratën e tij – kështu thotë ligji

Në dritën e zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri disa deklarata që kanë ngjallur diskutime të gjera. Ai theksoi se në RMV nuk ekziston një ligj i posaçëm për gjuhën shqipe, por vetëm një ligj që përmend përdorimin e gjuhëve bazuar në shifrën 20%. Kjo deklaratë e Kurtit nuk është tërësisht e saktë në kontekstin e ligjit të miratuar për gjuhët.

Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjuha maqedonase me alfabetin cirilik është gjuha zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. 

Ligji gjithashtu përcakton se një gjuhë e dytë bëhet zyrtare nëse flitet nga të paktën 20% e popullsisë, dhe në këtë kategori përfshihet gjuha shqipe. 

Duke qenë se shqiptarët përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë së vendit, gjuha shqipe ka statusin e një gjuhe zyrtare në Maqedoninë e Veriut. 

Kështu, Ligji siguron që gjuha shqipe të përdoret në institucione, dokumente zyrtare dhe në komunikimet me organet shtetërore.

Ligji nuk e përmend drejtpërdrejt gjuhën shqipe si një gjuhë të veçantë, por e bën këtë përmes përkufizimit të qartë që përfshin çdo gjuhë të folur nga të paktën 20% e popullsisë. 

Në rastin konkret, kjo ka efekt të drejtpërdrejtë për gjuhën shqipe, e cila përdoret gjerësisht në të gjitha institucionet e qeverisë qendrore dhe lokale ku përmbushet ky kriter.

Në mënyrë specifike, neni 1 i ligjit thotë se “gjuha tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.” 

Kjo dispozitë përcakton se në rastet ku përqindja e popullsisë shqiptare përmbush këtë prag, shqipja mund të përdoret në të njëjtën masë dhe me të njëjtin status si maqedonishtja.

Kurti ka thënë se duhet të sqarohet se në Maqedoni nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, teksa ka apeluar të pritet vendimi i Kushtetueses.

“Kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut pasi që tri dispozita të ligjit për përdorimin e gjuhëve janë dërguar te Komisioni i Venecias dhe këto tri dispozita paradoksalisht nuk janë zbatuar në të kaluarën dhe tash i përket Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut që ta vlerësojë. Por duhet ta sqarojmë një gjë: Nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që përmend shifrën 20 %. Pra ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve”, ka thënë kryeministri në një konferencë për media.

Tutje ai ka thënë se ndryshe nga serbishtja që është gjuhë zyrtare në Kosovë, nuk mund të thuhet edhe për shqipen në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, realiteti është se ky ligj e bën shqipen gjuhë zyrtare në bazë të përqindjes së popullsisë dhe detyron përdorimin e saj në institucione publike në rajonet ku përmbushet kriteri i 20%. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është i qartë në garantimin e statusit zyrtar të gjuhës shqipe bazuar në përqindjen e popullsisë shqiptare. 

Në këtë kontekst, deklarata e Kryeministrit Kurti nuk përputhet plotësisht me realitetin ligjor, pasi shqipja gëzon mbrojtje dhe përdorim zyrtar në të gjitha aspektet e jetës publike ku përmbushet ky kriter. 

Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Për ish-kryediplomatin shqiptar në Maqedoni të Veriut, ajo çfarë ka bërë Kurti në këto deklarime është “inkurajum i Gjykatës Kushtetuese” për të shfuqizuar nene të Ligjit mbi Përdorim e Gjuhëve.

E kjo, tha Osmani, “është e pafalshme”.

“Vlerësimi ishte skandaloz, i dëmshëm dhe i pabazuar në fakte. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky ligj u miratua 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, pasi ishte një nga pikat më të kontestuara dhe të vështira të marrëveshjes”, tha Osmani./Paparaci

https://paparaci.com/465934/kurti-nuk-mund-te-thuhet-qe-shqipja-ka-qene-gjuhe-zyrtare-ne-maqedonine-v-dhe-po-rrezikohet-ta-presim-vendimin-e-kushtetueses/

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci