Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës, Lëvizja Popullore “Atdheu” dhe Forumi Kombëtar Serb pretendojnë se kanë informacione të besueshme se Lista Serbe po organizon serbët nga Kosova që të vendosin tenda para Presidencës serbe dhe në këtë mënyrë ta mbrojnë Aleksandar Vuçiqin.
Siç pretendojnë ata, detyra e serbëve nga Kosova do të ishte “të mbrojnë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe selinë e tij qeverisëse nga tubimi i paralajmëruar masiv i popullit në kryengritje”.
Këto parti, në një deklaratë të përbashkët, kanë deklaruar se përkrahësit e Listës Serbe dhe Partisë Përparimtare Serbe nga Kosova do të marrin një mëditje të mirë për veprimin e tyre, së bashku me ushqime dhe pije, transmeton Paparaci.
“Shkuarja e tyre në Beograd është planifikuar për 12 mars dhe “mbrojtja” do të zgjaste së paku 25 ditë, d.m.th. “aq sa Aleksandar Vuçiqi konsideron të nevojshme që ata ta mbrojnë”, thonë këto tri organizata politike nga Kosova.
Ata u kujtojnë të gjithë serbëve nga Kosova se, Vuçiqi e tradhtoi “popullin serb” në Kosovë dhe për këtë përmendin disa arsye:
– me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, ai çmontoi institucionet e shtetit serb si gjyqësorin dhe policinë.
– në të njëjtën marrëveshje ai i dorëzoi Kosovës energjetikën me termocentrale dhe hidrocentralin e Ujmanit, si dhe telekomunikacionin, duke i dhënë Kosovës një numër të veçantë telefonik.
– mes Serbisë dhe Kosovës vendosi një kufi klasik me elementë të plotë të shërbimit doganor.
– i mundësoi Republikës “së vetëshpallur” të Kosovës të ketë prezencë në të gjitha organizimet sportive në mbarë botën.
– përmes Listës së tij Serbe krijoi kushtet e nevojshme për krijimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ky është një shembull unik në botë i presidentit të një vendi duke krijuar formacione ushtarake armiqësore “në territorin e tij”, sipas Kushtetutës.
– Duke pranuar planin franko-gjerman në Bruksel dhe duke u marrë obligimin në Ohër për ta zbatuar këtë plan, Aleksandar Vuçiqi ka shembur dhe shkelur Kushtetutën e Republikës së Serbisë.
– Gjatë 12 vjetëve të qeverisjes së tij, sipas deklaratës së vetë presidentit të Serbisë, në Kosovë janë investuar nga 600 deri në 800 milionë euro në vit. Ato para janë avulluar, vetëm presidenti e di se ku kanë shkuar, dhe është një vjedhje e paprecedentë, vlera e së cilës gjatë gjithë kësaj kohe është rreth 10 miliardë euro.
– Debakli ushtarak në Banjskë shkon në mëkat të presidentit të Serbisë. Ai i ka shtyrë në konflikt me policinë personat e pa trajnuar dhe personat që nuk kishin shërbyer as në ushtri. Rezultati është i njohur për të gjithë. Nëse donte të luante lojëra lufte, ai duhej të kishte përdorur ose pjesëtarë të Xhandarmërisë ose të Njësisë Speciale Antiterroriste.
– madje edhe vrasja e vetë Oliver Ivanoviqit është përgjegjësi e pushtetit aktual në Serbi.
Për këto arsye, këto tri organizata politike thonë se “duke ditur të gjitha këto, të fundit që duhet ta mbrojnë Aleksandar Vuçiqin janë serbët e Kosovës”.
Thonë se sot, kur “e gjithë Serbia është në kryengritje”, serbët nga Kosova nuk duhet të jenë në anën e kundërt./Paparaci.com
