Një grup i aktivistëve, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg, e cila ishte kapur në anijen me ndihma që po shkonte drejt Gazës, janë dërguar në aeroportin e Tel Avivit dhe pritet të dëbohen.
Jahti me 12 persona që po bënte përpjekje të dërgonte ndihma në Gaza ishte ndalur në portin izraelit Ashdod, pasi u kap nga forcat izraelite.
Izraeli ka bërë të ditur se udhëtarët e kësaj anijeje kanë arritur në aeroportin Ben Gurion dhe do të kthehen nëpër shtetet e tyre.
“Ata që refuzojnë të nënshkruajnë kthimin dhe largohen nga Izraeli do të përballen me drejtësinë”, ka bërë të ditur ministria e Jashtme e Izraelit.
Drejtuesit e anijes kanë thënë se synimi ishte që të dërgohej një ndihmë simbolike në Gaza në kundërshtim me bllokadën detare nga Izraeli.
Anija e aktivistëve ishte kapur në ujërat ndërkombëtarë.
Në anije kishte oriz dhe qumësht pluhur për foshnjat.
