Të fundit

Përjashtimi i nxënëses me shami, pushojnë hetimet ndaj drejtorit të gjimnazit në Pejë

Musa Nikqi është liruar nga hetimet penale për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve. Drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë ndodhej nën hetim nga Prokuroria për pezullimin e A.D., një nxënëseje të shkollës. Nikqi e kishte pezulluar nga shkolla 18-vjeçaren për shkak të mbulesës.

Prokuroria Themelore në Pejë e ka liruar nga hetimet penale Musa Nikqin, drejtorin e Gjimnazit “Bedri Pejani”.

Nikqi, ndodhej nën hetim mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës’.

Në shtator të vitit të kaluar, Nikqi e pezulloi nga shkolla nxënësen A.D. për shkak të mbulesës, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e uniformave fetare në institucionet publike arsimore.

Megjithatë, një hetim preliminar i Prokurorisë nxori konstatimin se Nikqi nuk mund të ndiqet penalisht për veprën për të cilën po hetohej.

Më 10 qershor të këtij viti, hetimet ndaj drejtorit të gjimnazit në Pejë kanë pushuar edhe zyrtarisht, tregon një aktvendim i Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilin e ka siguruar Paparaci.

Në aktvendim thuhet se nuk janë gjetur elemente të veprës penale në rastin e Nikqit.

Rasti kishte filluar me një kallëzim penal të dorëzuar më 10 shtator 2024, në të cilin nxënësja paditi drejtorin për ndalimin e ndjekjes së mësimit, për shkak të shamisë.

Në padi, ajo argumentoi se vendimi i shkollës është në kundërshtim me bindjen dhe të drejtën e saj fetare.

Sipas dosjes së prokurorisë, drejtori Nikqi, pas marrjes së informacionit, kishte ftuar nxënësen dhe kujdestaren në zyrë dhe i kishte referuar Udhëzimin Administrativ të MASHT-it nr. 06/2014, që ndalon bartjen e uniformave fetare në institucionet publike arsimore, duke përfshirë edhe shaminë.

Nxënëses i ishte ofruar mundësia të ndjekë mësimin online, por nuk ishte lejuar të vijonte mësimin me shami për rreth 6 javë.

Prokuroria sqaron se gjendja faktike nuk ishte kontestuese, por çështja kishte të bënte me interpretimin juridik të udhëzimit administrativ në raport me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën për arsim dhe lirinë fetare.

Në vlerësimin e saj, Prokuroria është mbështetur edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht në rastin e Leyla Sahin kundër Turqisë, duke theksuar se masa që kufizon shprehjen e fesë në ambientet publike arsimore nuk përbën domosdoshmërisht shkelje, nëse është në funksion të ruajtjes së karakterit laik dhe rendit publik.

Si përfundim, Prokuroria ka konstatuar se drejtori Nikqi ka vepruar brenda kornizës ligjore dhe udhëzimeve administrative në fuqi, prandaj nuk gjen përgjegjësi penale ndaj tij.

Rikthimi në shkollë

Pas më shumë se një muaji ndalimi të mësimit në shkollë për shkak të bartjes së mbulesës, Drejtoria e Arsimit në Pejë ka vendosur që nxënëses 18-vjeçare t’i mundësohet kthimi në bankat shkollore në Gjimnazin “Bedri Pejani”.

Kthimi i saj më 8 tetor 2024, është shoqëruar me reagime të ndryshme, duke përfshirë edhe një bojkot të përkohshëm nga mësimdhënësit e shkollës.

Drejtori i Arsimit, Naser Gega për Kallxo kishte thënë se, vendimi për lejimin e saj nuk duhet të interpretohet si rregull i përgjithshëm, por si një “rast unik” duke pasur parasysh se nxënësja ka arritur moshën madhore bazuar në interpretimin e Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.

“Kontesti ishte, a është shamia mbulesë fetare a s’është. Dhe sipas gjitha gjasave, neve po na del që edhe shamia është një mbulesë fetare. Mirëpo, sidoqoftë, pasi vajza ka mbushë 18 vjet, atëherë edhe një rekomandim prej Ministrisë e kemi pasë për mundësisht me kthy në shkollë sepse shamia nuk konsiderohet si mbulesë fetare, atëherë definitivisht u dakorduam që me leju si rast unik, si rast i vetëm”, deklaroi Gega.

“Ministria e Arsimit shprehet në atë shkresë thotë se ‘shamia nuk mund të konsiderohet si mbulesë fetare, sipas zyrtarëve ligjorë të tyre’ … dhe mbi bazën e saj dhe vajza pasi i ka mbushë 18 vjet, atëhere Kushtetuta e kërkon mësimin e obligueshëm, atëhere t’i mundësohet, a din, rekomandon që t’i mundësohet dhe një rekomandim të tillë e kam dërgu edhe unë dje në Gjimnaz”, ka treguar Gega.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i familjes, imami Labinot Maliqi, e quajti ndërhyrjen e Ministrisë si “mbështetje të drejtë” dhe kërkoi shfuqizimin e udhëzimit administrativ 06/2014, që ndalon uniformat fetare në shkollat e mesme.

Ai gjithashtu kërkoi falje publike nga drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit në Pejë për veprimet ndaj nxënëses.

“Pas ndërhyrjes mbështetëse që ka bërë Ministria e Arsimit për kthimin e kësaj nxënëseje në shkollë me mbulesë, duke qenë edhe vet institucioni i bindur se nje ndalesë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin per Arsim dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdojë ndalesa për “Bartjen e Uniformës Fetare” në shkollat e mesme, e paraparë në Udhëzimin Administrativ”, ka thënë Maliqi.

Udhëzimi administrativ dhe Arbërie Nagavci

Udhëzimi administrativ, i cili ndalon bartjen e uniformave fetare, ka qenë subjekt debatesh të shumta publike.

Në udhëzimin administrativ të MASHTI-t me numër 06/2014, në të cilin flitet për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, në nenin 3, ku flitet për ‘Veprimet e ndaluara’, në paragrafin 1.13 thuhet “Nxënësit i ndalohet: bartja e uniformës fetare”.

Për këtë udhëzim administrativ Ministria e Arsimit është kritikuar nga një pjesë e shoqërisë, e cila është kundër tij, kur bëhet fjalë për ndalimin e uniformës fetare.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një deklarim të mëhershëm kishte theksuar se shoqëria duhet të diskutojë më thellësisht çështjen e “uniformave fetare” dhe të qartësohet se çka janë uniformat fetare.

“Udhëzimi administrativ që ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime e përmend që është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet ta ketë një diskutim, e para: Çka janë uniforma fetare? A jemi ne të gatshëm që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshur me uniforma fetare në shtetin tonë që i përcaktohet karakteri i vet me Kushtetutë, ashtu siç i garantohet edhe e drejta e shkollimit. Ky është një diskutim shumë përmbajtjesor që nuk mund të bëhet me kushtëzime e me imponime dhe që duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve tanë”, kishte thënë Nagavci më 23.09.2023 në Kallxo.

Në këtë rast, Prokuroria në Pejë kishte nisur hetimet për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve”, por pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, përfshirë interpretimin e udhëzimit administrativ dhe mbrojtjen e lirive themelore, vendosi të pushojë hetimet, me arsyetimin se nuk kishte elemente për ndjekje penale./Paparaci

 

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci