Ish-ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Muhamet Hamiti, në një prononcim për “Front Online” ka folur për rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ai i cilësoi si themel të historisë moderne të vendit.
Sipas tij, në pesë vitet e fundit marrëdhëniet kanë përjetuar ngërç nën udhëheqjen e Albin Kurtit, por mbështetja për popullin e Kosovës ka vijuar.
“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të kanë përjetuar ngërçe në pesë vitet e fundit, në kohën kur Qeverinë e Kosovës e ka drejtuar Albin Kurti i Vetëvendosjes. Mbështetja amerikane për popullin e Kosovës ka vazhduar. Mund të bëhej më shumë me një lidership më të përgjegjshëm në Kosovë gjatë këtyre viteve”, shprehet Hamiti.
Duke kujtuar rolin historik të Presidentit Ibrahim Rugova në ndërtimin e kësaj miqësie, Hamiti nënvizoi se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në çlirimin, rindërtimin dhe pavarësimin e Kosovës.
“Historia moderne e Kosovës është e ndërlidhur me marrëdhëniet që i ka krijuar vendi ynë me SHBA. Ibrahim Rugova, prijësi i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, i ka vendosur lidhjet e para të Kosovës me SHBA-të para 35 vitesh, duke e afirmuar kauzën tonë atje. Kjo miqësi me SHBA-të e mban vulën e Presidentit tonë historik”, deklaroi Hamiti.
Hamiti shprehet se vendi ynë duhet të bëjë gjithçka për ta ruajtur marrëdhëniet më SHBA.
“Kosova duhet të bëjë gjithçka që t’i ruajë marrëdhëniet speciale me SHBA-të, të punojë ngushtë me evropianët, për ta siguruar të ardhmen e vet si shtet i pavarur dhe sovran, i integruar në sistemin ndërkombëtar. Kosova duhet ta ruajë dhe ta kultivojë trashëgiminë rugoviane”, ka thënë Hamiti.
