Drejtori i zyrës serbe të ngarkuar për propagandë armiqësore kundër Kosovës, e ashtuquajtur “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, është takuar sot me ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Beograd, Martijn Elhersma, të cilin “e ka informuar” për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, dhe ka shfrytëzuar rastin që edhe një herë të bëjë propagandën e tij tashmë të botërisht të njohur, duke pretenduar se, “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës ndaj popullatës serbe minojnë paqen dhe shkatërrojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka kumtuar kjo zyre, transmeton Paparaci.
Siç pretendohet në këtë propagandë, Petkoviqi veçanërisht ka theksuar se “Beogradi pret që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Prishtinën që të ndalojë me veprimet e paligjshme dhe të njëanshme në dëm të komunitetit serb në Kosovë” dhe, në vend të kësaj, të fillojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Petkoviqi i ka përcjellë bashkëbiseduesit të tij se Prishtina nuk dëshiron të arrijë asnjë kompromis apo marrëveshje të qëndrueshme në kuadër të dialogut, sepse me veprimet përshkallëzuese të përditshme, arrestimet arbitrare, përndjekjen politike të përfaqësuesve të Listës Serbe, si dhe me terror institucional dhe fizik, dëshiron ta dëbojë popullatën serbe nga Kosova dhe kështu ta përmbyllë politikën e spastrimit etnik”, përfundon propaganda e kësaj zyre./Paparaci.com
