Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu tha se vite më parë kishte paralajmëruar se deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin shkruar e sponsorizuar artikuj kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sipas tij, nuk ishte besuar.
“Sot, pikërisht ata njerëz janë bërë deputetë me votën e qytetarëve, e madje njëri prej tyre, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kjo është fyerja më e rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve”, ka shkruar ai.
Haxhiu theksoi se edhe pse ka marrë 18 mijë e 600 vota, ndihet me fat që nuk është pjesë e asaj që e quajti “turp kombëtar”. Ai theksoi se “kurrë me votën time nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së”.
Duke e quajtur këtë zhvillim “degradim të shtetit”, ish-deputeti kërkoi që Kuvendi të shpërndahet menjëherë pas konstituimit, në mënyrë që, siç tha, “të rikthehet dinjiteti i institucioneve përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
