Të fundit

Behgjet Pacolli në telashe të reja, paditet edhe nga ish-bashkëpunëtori i tij Valon Lluka

Historia e përplasjeve dhe dyshimet për mashtrim të aksionarëve në Aeroportin e Vlorës, e ka zhytur Behgjet Pacollin në një betejë te re ligjore. Pronari i Mabco Constructions dhe ish-kryediplomati i Kosovës, tani përballet me padi për shpifje nga Valon Lluka, ish-bashkëpunëtori i tij i afërt për më tepër se dy dekada. Lënda ndërlidhet me akuzat e rënda të Pacollit ndaj Llukës për transferim gjoja të kundërligjshëm të aksioneve të Aeroportit.

Pronari i Mabco Constructions, Behgjet Pacolli do të përballet me një padi për shpifje, dëmtim imazhi dhe reputacioni ndaj Valon Llukës.

Lluka, kryetari i bordit të Bankës Ekonomike dhe ish-administrator i Aeroportit të Vlorës, e akuzoi të enjten Pacollin për shpifje lidhur me një deklarim të tij për çështjen e aksioneve të aeroportit, e cila u shndërrua në mollë sherri mes dy aksionarëve Pacolli-Ademi rreth përqindjes së tyre.

Rasti ndodhet nën shqyrtim nga Gjykata e Tiranës dhe tashmë ka një vendim për masë sigurie ndaj aksioneve të pronës.

Padia për shpifje ndërlidhet me pretendimet e Pacollit se 47% të aksioneve të kompanisë së tij, Mabco, në Aeroportin e Vlorës janë tentuar të transferohen përmes falsifikimit të Llukës në bashkëpunim me noteren Valbona Selimi.

Sipas Llukës, transferimi i 47% të aksioneve të kompanisë që mori në administrim Aeroportin e Vlorës është kryer në mënyrë të rregullt ligjore; me dokumente të noterizuara dhe me vula apostile ndërkombëtare.

“Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike. Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë dhe çdo hap të procedurave përkatëse, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që për çdo veprim ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara jo vetëm nga vetë z. Behgjet Pacolli, por edhe nga Mabco Construction SA, Lugano, si pronare ligjore e aksioneve”, thuhet në reagimin e Llukës

Ish-administratori i Aeroportit të Vlorës në një reagim publik, tha se provat e rastit i ka bashkëngjitur në padinë ndaj Pacollit.

“Të gjitha këto dokumente, së bashku me transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira në këtë transaksion, janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova dhe fakte zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë dhe transparencën e plotë të çdo veprimi tim. “Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat, dokumentet dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht”, ka bërë të ditur Lluka.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet penale ndaj Behgjet Pacollit për një seri veprimesh të dyshimta rreth pronësisë së Aeroportit të Vlorës. Pacolli dyshohet për mashtrimin e bashkë-aksionarit të projektit, biznesmenit kosovar Valon Ademi dhe për kalimin e aseteve të një kompani “offshore”, e cila dyshohet se është e lidhur me Rusinë.

Përpos Behgjet Pacollit, Prokuroria në Shqipëri ka nisur hetime penale edhe ndaj Emin Pacollit, vëllait të tij dhe punonjësit Nelson Çela. Të tre dyshohen për akuzat e “mashtrimit me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Akuzat ndërlidhen me dyshimet se Pacolli dhe njerëzit e tij ia shiten aksionet e Aeroportit kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Fjala është për kompaninë kosovare “2A Group”, të biznesmenit Valon Ademi.

Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohet se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit. Ai pretendon se është zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi është zotërues i 2% të aksioneve.

Gjykata vendosi që të pezullojë çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Për më tepër lexoni:

Aeroporti i Vlorës: Skema e dyshimtë që mund të trondisë Shqipërinë

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci