Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Hamza ka takuar këshilltarët e afërt të presidentit amerikan Donald Trump.
“Në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane, sot në Ëashington zhvillova një takim me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit”, shkruan Hamza.
Ai shton se janë diskutuar zhvillimet politike në Kosovës.
“Diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi. I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shton kryetari i PDK-së.
Hamza shton se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane”.
“Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, përfundon Bedri Hamza.
Kush janë zyrtarët amerikanë që pritën Hamzën? Charles McLaughlin – Asistent i Posaçëm i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – konsiderohet një nga ekspertët kryesorë republikanë të politikës së jashtme.
Ai ka përvojë të gjerë në qeveri, në sektorin privat, në akademi dhe në forcat e armatosura. Karrierën e nisi si oficer në Kavaleri të Blinduar dhe më pas në Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane, duke dalë në pension si kolonel.
Mark Fleming – Drejtor i Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit – është zyrtari më i lartë përgjegjës për çështjet e Ballkanit Perëndimor në administratën amerikane.
Me një karrierë të gjatë diplomatike, ai ka luajtur rol kyç në koordinimin e politikave të SHBA-së në rajon, me theks në sundimin e ligjit, stabilitetin dhe bashkëpunimin strategjik.
Vizita e Hamzës në SHBA vlerësohet si një zhvillim me rëndësi të madhe për diplomacinë kosovare, sidomos në prag të proceseve të reja politike dhe zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
