Një incident i rëndë me armë zjarri është regjistruar të premten në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku një person ka mbetur i plagosur pas një konflikti të çastit në trafik.
Sipas të dhënave të Policisë, ngjarja ka ndodhur pasi viktima nuk i kishte dhënë përparësi kalimi në semafor shoferit të një Audi A3. I dyshuari ka zbritur nga vetura, e ka fyer verbalish viktimën dhe më pas ka shtënë me armë drejt tokës. Plumbi ka përfunduar duke e goditur viktimën në këmbë.
Pas të shtënave, i dyshuari është larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur, ndërsa i plagosuri ka marrë ndihmën e parë dhe trajtim mjekësor.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar një predhë dhe një gëzhojë në vendin e ngjarjes. Rasti po hetohet si “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
“VRASJE NË TENTATIVË & ARMËMBAJTJE PA LEJE- Fushë Kosovë /29.11.2025-15:45. Është raportuar se derisa viktima m/k, ka qenë në semaforët për kyçje i dyshuari m/k për shkak që nuk i ka dhënë përparësi kalimi një i dyshuar mashkull ka dalur nga vetura e tipit Audi A 3 dhe duke e ofenduar verbalisht e ka shtënë me armë zjarri në tokë ku plumbi e ka goditur në këmbë. I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa në vend ngjarje është gjetur dhe konfiskuar predha dhe gëzhoja. Rasti ndodhet në procedurë hetimore.”
