Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së vokalistit të grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi – Shemi.
Osmani e ka cilësuar Shemin si një prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët”, njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80”, ka thënë Osmani.
““Xhamadani vija vija” mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada”, ka thënë ajo.
“Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik”, ka thënë Osmani.
Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy vjet më parë, Shemin dhe grupin “Ilirët”, u vlerësuan me Medaljen Pesidenciale të Meritave.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë përmes muzikës që na la trashëgimi. I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasniqin- Shemin”, ka thënë ajo.
