Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka thënë se Albin Kurti nuk ka guxim që të përballet për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë.
Lidhur me këtë përmes një postimi në Facebook ka reaguar ish këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Driton Tali, i cili ka kërkuar përgjigje nga z. Hyseni lidhur me zgjidhjen përfundimtare me Serbinë.
“E pse nuk na thua, ti z.Hyseni diplomat “par excellance” që je, se çfarë duhet të pëmbajë zgjidhja përfundimtare me Serbinë?!”, ka shkruar Tali.
Tutje ai ka kritikuar udhëheqjen e mëparshme duke thënë se i ka dhënë tokë më herët Serbisë.
“Cila dëshirë ka mbetur ende pa ia plotësuar Serbisë?! T’i japim tokë, t’ia aprovojmë Zajednicën ashtu siç e bëtë ju “diplomatët par excellence”, me 25 gusht 2015, e të cilën po insiston Serbia duke u thirrun (justifikuar) në nënshkrimin tuaj?!”, vazhdon tutje Tali.
Tali ka vazhduar kritikat kundrejt Hysenit duke i thënë që mos të vazhdojë më të japë intervista në televizione, pasi sipas tij vetëm po shet mend.
“O Skënder Hyseni, me rekordin tënd, e kolegëve tu, ti pak me pas ndërgjegje nuk kishe me dal në TV me na shitë nasihat.
Por s’ke faj as ti. Deri tashti askush prej marrës nuk ka vdekë – nuk vdes as ti!!!”, ka përfunduar Tali.

