Drejtori sportiv i Gjilanit, Drilon Sylejmani do të mbante ligjëratë të gjatë me “llafe e muhalife” sesi një gjyqtar, më i miri ndonjëherë në futbollin e Kosovës, kishte shkelur etikën morale dhe profesionale gjatë referimit të ndeshjes Gjilani-Dukagjini.
Edhe pse nuk do të paraqiste pothuajse asnjë ankesë për ndarjen e drejtësisë në fushë nga gjyqtari Genc Nuza, drejtori sportiv i gjilanasve do të vidhte rreth 15 minuta kohë televizive për protestë për gjoja fjalët që kishte përdorur gjyqtari.
“Nëse s’më besoni mua qe ku e keni kapitenin Armend Thaçin”, tha Sylejmani në një moment kur u përpoq t’ua forconte bindjen mysafirëve në studio për “të bëmat e Nuzës”.
Pas kësaj ndeshje, mediat kishin raportuar se gjyqtari nga Prishtina ishte pezulluar për disa lojë nga Federata e Futbollit të Kosovës, edhe pse zyrtarisht nuk ishte komunikuar asnjë vendim nga FFK-ja.
Sado banale që mund të tingëlloj, të dënohet dikush së paku pa iu nënshtruar një procesi formal që vërteton fajësinë e dikujt për shkelje të rregullave, në futbollin e Kosovës të tilla ngjarje janë normalitet.
Normalitet është edhe kur gjyqtari fyhet nga tifozë, kritikohet rregullisht nga trajnerë që përpiqen t’ua hedhin gjyqtarëve fajin për vendimet e tyre, të linçohet nga drejtorë sportivë.
Në perëndim ndodh krejt e kundërta.
Gjyqtari është kategoria më e ndjeshme dhe më e mbrojtur e sistemeve.
Federatat përkatëse në perëndim të Evropës, vjen fjala në Gjermani, Francë, Angli etj., ai mbrohet nga i tërë sistemi për arsye të ruajtjes së autoritetit dhe sigurisë.
Nëse gjyqtari sulmohet rregullisht dhe askush nuk ndëshkohet, atëherë autoriteti i tyre bie dhe siguria e tyre fizike cenohet. Rrezikohet edhe ecuria e garave nga kaosi i mundshëm.
I kemi vërtejtur shpesh sesi menaxherët e klubeve të futbollit në Angli refuzojnë të shprehin çfarëdo mendimi që mund të kenë për vendimet e gjyqtarit në fushën e lojës, sepse fyerjet dhe kontestimet e vazhdueshme të vendimeve të gjyqtarëve ndëshkohen.
Sidoqoftë.. Drilon Sylejmani ka harruar të vetëdijësojë vetveten kur fundjavën që lamë pas është vendosur në mesin e KATËR zyrtarëve sportivë të 12 klubeve të Superligës të cilët janë futur në procedurë disiplinore nga Komisioni i Garave i FFK-së.
“Ndaj: Drejtorit sportiv të FC Gjilani, Drilon Sylejmani”, thuhet në renditjen e zyrtarëve ndaj të cilëve është inicuar masë disiplinore.
Sylejmani është ndëshkuar me karton të kuq gjatë ndeshjes Ferizaj – Gjilani dhe dyshohet se ka kryer sjellje josportive e ka përdorur fjalor të rëndë ndaj gjyqtarit.
“Motivi: Pas përfundimit të pjesës së parë kundërshtonte me sjellje jo sportive në vendimet e gjyqtarit poashtu pas përfundimit të ndeshjes vjen në drejtim të gjyqtarëve duke përdorur fjalët më të rënda për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ferizaj –Gjilani”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Garave.
