Të fundit

A duhet partitë ta paraqesin nga një emër për president para zgjedhjeve të qershorit?

Kriza politike në Kosovë po hyn në një fazë të re pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një situatë që ka thelluar paqëndrueshmërinë institucionale dhe ka detyruar vendin të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 7 qershor. Pas një viti të tërë të humbur politikisht gjatë vitit 2025, vendi përballet me pasiguri të reja, ndërsa partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë gjuhë të përbashkët për një nga postet më të rëndësishme shtetërore.

Në qendër të debatit politik mbetet çështja e presidentit të ardhshëm të Kosovës. Deri më tani, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë hapur me një emër konkret, duke propozuar Vjosa Osmanin për një mandat të dytë presidencial. Osmani, e cila më herët nuk arriti të rikandidohej në muajin prill, rikthehet si figurë kryesore e ofertës politike të LDK-së në prag të zgjedhjeve.

Në anën tjetër, dy partitë më të mëdha politike në vend – Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës – nuk kanë bërë publike kandidaturat e tyre për president. Heshtja e tyre ka nxitur interpretime të ndryshme politike, ndërsa analistët vlerësojnë se mungesa e emrave konkretë reflekton mungesë konsensusi të brendshëm dhe kalkulime strategjike para zgjedhjeve.

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, vlerëson se partitë politike do të duhej të paktën të sqaronin kriteret dhe parimet mbi të cilat do të mbështesnin zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Sipas tij, mungesa e transparencës para zgjedhjeve rrezikon që vendi të përballet sërish me improvizime politike dhe bllokada institucionale pas procesit zgjedhor.

Maliqi thekson se zgjedhja e presidentit në Kosovë historikisht nuk është përcaktuar vetëm nga rezultati zgjedhor, por ka qenë produkt i marrëveshjeve politike dhe kompromisit ndërpartiak. Për këtë arsye, ai konsideron se partitë do të detyrohen të bëjnë lëshime pas zgjedhjeve, pavarësisht retorikës aktuale elektorale.

Sipas tij, kandidatura e Vjosa Osmanit nga LDK-ja lidhet edhe me përpjekjen për të rikthyer një pjesë të elektoratit që më herët kishte mbështetur bashkëpunimin politik mes Osmanit dhe Albin Kurtit. LDK-ja duket se po tenton të ndërtojë një narrativë politike mbi idenë e “viktimizimit” të Osmanit nga Vetëvendosje, me shpresën se kjo mund të mobilizojë votues të zhgënjyer.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të vuajë pasojat e mungesës së kompromisit politik. Viti 2025 u karakterizua nga mosfunksionalizimi i institucioneve, fillimisht për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe më pas për shkak të dështimit për formimin e Qeverisë. Këto zhvillime çuan në zgjedhje të reja, ndërsa tani vendi përballet me një krizë të ngjashme për shkak të çështjes së presidentit.

Edhe pse Vetëvendosje konsiderohet favorite për të fituar zgjedhjet e ardhshme, analistët nuk presin që ajo të sigurojë e vetme numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur presidentin. Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve për ta bërë të vlefshëm procesin e votimit për presidentin, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërpartiak.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se Kosovës i mungon një debat serioz politik për temat strategjike shtetërore. Ai thekson se zgjedhja e presidentit nuk duhet të trajtohet si imponim apo si rezultat i “listave të dëshirave”, por si një proces që kërkon komunikim politik, kompromis demokratik dhe transparencë ndaj qytetarëve.

Në këtë klimë polarizimi, partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për krizën institucionale që ka përfshirë vendin. Megjithatë, shumë vëzhgues besojnë se zgjidhja nuk do të vijë nga deklaratat parazgjedhore, por nga gatishmëria reale e partive për të bashkëpunuar pas zgjedhjeve.

Deri atëherë, funksionin e presidentes do të vazhdojë ta ushtrojë Albulena Haxhiu në cilësinë e ushtrueses së detyrës, mandat që mund të zgjasë deri në muajin tetor. Por pa një marrëveshje politike të qëndrueshme, Kosova rrezikon të vazhdojë ciklin e krizave institucionale dhe të mbetet peng i përplasjeve politike edhe në muajt në vijim./rel

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci