Policia e Kosovës ka shoqëruar pesë persona në dy raste të ndara të kalimit ilegal të kufirit, të regjistruara gjatë së hënës në Han të Elezit dhe në zonën e Prapashticës.
Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, ku rreth orës 16:45 është shoqëruar në stacion policor një i dyshuar mashkull kosovar. Ai dyshohet se kishte hyrë në Kosovë duke kaluar ilegalisht kufirin nga Maqedonia e Veriut.
“PKK Hani Elezit / 08.06.2026 – 16:45. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte kaluar kufirin ilegalisht nga Maqedonia Veriut për në Kosovë. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt. “, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar rreth orës 17:00 në fshatin Prapashticë të Prishtinës, ku policia ka shoqëruar katër të dyshuar meshkuj kosovarë. Sipas dyshimeve fillestare, ata kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në territorin e Kosovës.
“Fsh. Prapashticë, Prishtinë, 08.06.2026 – 17:00. Janë shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuari meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia për në Kosovë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt. “, thuhet në raportin e policisë.
