Seriali komik “Shërbëtori i Popullit”, në të cilin ka luajtur presidenti ukrainas ka arritur kulmin e interesit për një gamë të rrjeteve globale që kanë nisur të blejnë të drejtat e transmetimit të tij.
Ish-aktori dhe komediani Volodymyr Zelensky, luajti rolin e Vasiliy Petrovich Goloborodko, një mësues i shkollës së mesme, i shtyrë drejt presidencës pasi videoja e një studenti ku ai denonconte korrupsionin në Ukrainë u bë virale. Goloborodko nga një mësuese i thjeshtë, nisi të drejtojë vendin duke shmangur përfitimet e të qenit lider dhe duke e mbajtur jetën e tij në ritmet e normales.
Interesi për këtë serial ka arritur kulmin kur Rusia sulmoi Ukrainën dhe Zelensky vendosi të mos largohej por të qëndrojë krah popullit të tij.
Zelensky është parë si hero në sytë e njerëzve, teksa ka vendosur t’i rezistojë sulmeve ruse.
Nicola Soderlund, partneri menaxhues i studios krijuese, ka zbuluar se shitjet janë rritur në mënyrë të shpejtë në ditët e fundit. Ai e ka cilësuar interesin për këtë serial si “të jashtëzakonshëm”.
Seriali pritet të transmetohet të dielën nga Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu nuk do të mungojnë transmetimet nga rrjete të ndryshme televizive në shtete të tjera si, Greqi, Rumani, Bullgari, Moldavi, Estoni, Francë apo Finlandë.
