Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se situata në Kosovë është shumë më e komplikuar, teksa shtoi se nuk është veç punë nafte e punë akcize.
Ai tha se qytetari i këtij vendi po përballet me pamundësinë të sigurojë ekzistencën.
Sipas tij, “po rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër”.
“Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit”, shkroi ai në Facebook.
Ai madje tha se sot, e kanë nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
“Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend”, u shpreh ai.
“Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra. Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopeshë të arsimit””, deklaroi ish-kryeministri.
“Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq paftyrësi”.
“Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton”, përfundoi deputeti Haradinaj.
