Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është rihapur në objektin e Stacionit Policor në këtë qytet.
Qendra e vjetër që ishte në objektin e Komunës u dogj, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur për rihapjen e Qendrës në Stacionin Policor në Zubin Potok.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se puna në këtë qendër do të zhvillohet normalisht dhe se janë të gatshëm që nga sot, t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve”, ka bërë të ditur MPB-ja.
“Kjo është një ndërhyrje e shpejtë që kanë bërë zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit të MPB-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim që qytetarët e kësaj zone të mos mbesin pa shërbime”, thuhet nga Ministria.
Kjo qendër u dogj të shtunën nga persona të dyshimtë, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Në të njëjtën ditë, të shtunën, ishte sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.