Komisioni për Buxhet, Punë dhe Tarnsfere sot ka miratuar marrëveshjen për kredinë prej 40 milionë eurove me Bankën Evropiane.
Kjo marrëveshje parasheh financimin e projektit të qeverisë “Reagimi i Kosovës ndaj Pandemisë COVID-19 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
Me këtë rast, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kapitali prej 40 milionë euro do t’i transferohet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
“Kapitali prej 40 milionë eurove do t’i transferohet Fondit Kosovar për Garanci në mënyrë që i njëjti të lëshojë garanci kreditore ndërmjetësuesve financiar, në këtë rast institucioneve financiare të licencuara nga Banka Qëndrore e Kosovës për t’i mbuluar humbjet potenciale që mund të shkaktohen nga kreditë investuese dhe kreditë për kapital punues”, ka thënë ai.
Komisioni po vazhdon mbledhjen me pikat e tjera në rend të ditës, ku mes tjerash po paraqitet raporti i punës së Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2020.
