Kreu i Ministrisë së Jashtme ruse ka thënë se lufta bërthamore nuk duhet të fillojë kurrë dhe se Rusia po ndjek qartë mirëkuptimet midis fuqive bërthamore për ta parandaluar një gjë të tillë, shkruan BBC.
Vladimir Yermakov i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se rreziqet e luftës bërthamore “duhet të minimizohen, në veçanti, duke parandaluar çdo konflikt të armatosur midis fuqive bërthamore”.
Ai përmendi një marrëveshje që zotohej për të shmangur luftën bërthamore, të arritur në janar nga SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania.
Yermakov ka thënë se dialogu mbi stabilitetin strategjik me SHBA-në ishte aktualisht “i ngrirë nga pala amerikane”.
Më herët këtë javë, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi Perëndimin të mos nënvlerësojë rreziqet e konfliktit bërthamor.
Por dje një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane ka thënë se SHBA-ja nuk beson se ekziston një kërcënim i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia.
