Kompania e telekomunikimit në Kosovë, IPKO, ka shënuar rritje të të hyrave në vitin 2021, pavarësisht se qindra ankesa u dërguan këtë vit kundër kompanisë në Inspektoratin e Tregut për shkak të ndërprerjes së transmetimit të disa kanaleve televizive.
Sipas një raporti financiar të Telekomit të Sllovenisë, që ka në pronësi 100 për qind të aksioneve të IPKO-s, kompania përfundoi nëntë muajt e parë të vitit 2021 me 53.8 milionë euro të hyra.
Këto shifra shënojnë një rritje prej 30 për qind nga viti i kaluar, sipas rezultateve financiare të publikuara këtë javë nga Telekomi i Sllovenisë.
Të gjithë treguesit kryesorë të biznesit kanë shënuar rritje, duke i mundësuar IPKO-s të mbyllë periudhën në të zezë me një fitim neto prej 10 milionë euro.
