Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur falënderues ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe presidentet Vjosa Osmani, të cilët e uruan atë kur u zgjodh më 28 prill shef qeverie.
Ai po ashtu falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, teksa publikoi një kolazh fotografish të liderëve nga vendet e ndryshme që e përgëzuan për detyrën e re.
“Në 10 ditët e fundit kam marrë një numër të madh urimesh nga e gjithë bota, nga shumë presidentë shtetesh, kryetarë parlamentesh, kryeministra, deputetë, diplomatë, komuniteti shkencor, akademik dhe i biznesit, sektori i OJQ-ve dhe mediave. Faleminderit të gjithëve për urimet tuaja!”, shkroi ai në rrjetin e tij social “Facebook”.
“Premtojmë se do të punojmë në interes të qytetarëve, për Malin e Zi evropian dhe ekologjik, i cili do të zhvillojë marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet fqinjë!”.
