Biznesmeni Mustafë Grainca ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj që të nxjerrë aktgjykim për padinë civile që ai ka ushtruar ndaj deputetit nga Ferizaj, Dimal Basha.
Lënda është kthyer në rigjykim në fund të vitit të kaluar duke i dhënë të drejtë paditësit, sipas një aktvendimi të Gjykatës Supreme.
Supremja kishte rrëzuar dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë paditësit kundër aktgjykimit që e konsideronte të tërhequr padinë e Graincës ndaj Bashës.
Rreth pesë muaj pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë ende nuk ka vendosur lidhur me kontestin mes Graincës dhe Bashës.
Në parashtresën e dorëzuar nga Mustafë Grainca, të cilën e posedon Paparaci, ai ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj që kjo procedurë të vazhdohet në mënyrë të rregullt dhe të nxirret aktgjykimi që i njëjti të dorëzohet sipas Ligjit për Procedurën Kontenstimore.

“Duke qenë të vetëdishëm për ngarkesën e gjykatës me lëndë dhe duke e mirëkuptuar në një mënyrë këtë vonesë, ne me anë të kësaj parashtrese dhe konform rregullimit të nenit 153 të LPK-së, kërkojmë nga gjykata që kjo procedurë të vazhdohet në atë mënyrë që të nxirret aktgjykimi dhe i njëjti të na dorëzohet sipas procedurës së normuar në LPK”, thuhet në parashtresë.
Në shkurt të këtij viti kontesti mes Graincës, një biznesmeni të ndërtimit, me deputetin Dimal Basha ishte rikthyer për gjykim në shkallën e parë të gjykatës.
Grainca ka ushtruar padi për shpifje kundrejt Bashës, me kërkesë për kompensimin e dëmeve që pretendon se i ka shkaktuar, raporton Paparaci. Afaristi kërkon 65 mijë euro dëmshpërblim në formë kompensimi nga deputeti i LVV-së.
Basha, në një deklarim publik, e kishte akuzuar Graincën për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt. Deputeti, e kishte quajtur “mafi të betonit” veprimtarinë e Graincës.
Në një atkvendim të 10 shkurtit të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore që e cilësonte si të “tërhequr padinë e paditësit [Mustafa Grainca, v.j] kundër të paditurit Dimal Basha”.
Sipas aktvendimit fillestar të Gjykatës Themelore, me konsiderimin e padisë si të tërhequr, deputeti Basha kishte paditur Graincën që të paguajë shpenzimet e procedurës civile. /Paparaci/
