fbpx

Të fundit

Ekskluzive: Kufizohen të drejtat e të akuzuarve – Holanda nuk lejon vizitat e prindërve në Hagë

Prindërve të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke iu cenuar e drejta e vizitës së djemve të tyre në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Halide Rexhepi

Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës ka vendosur se prej 1 korrikut, 2022, të mos lehtësojë procedurat e lëshimit të vizave për prindërit e të akuzuarve në Hagë.

Këtë qëndrim, MPJ-ja e Holandës ia ka kumtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës përmes një shkrese zyrtare më 22 mars të këtij viti. Qeveria holandeze ka kërkuar që shkresa e njëjtë t’i përcillet edhe Ambasadës së Kosovës në Amsterdam.

Letrën zyrtare të MPJ-së holandeze e ka siguruar Paparaci.

Sipas qëndrimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, lehtësimi i procedurave për vizat e prindërve të të akuzuarve dhe paraburgosurve në Hagë nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Shtetit Pritës, të lidhur mes qeverive kosovare dhe holandeze më 2016.

“Ministria është e përgatitur të aplikojë një periudhë tranzicioni për Dhomat e Specializuara deri më 1 korrik 2022 gjatë së cilës shteti pritës do të lehtësojë vizat për prindërit, megjithëse kjo nuk është në përputhje me politikën e përhershme për Gjykatat dhe Tribunalet”, thuhet në letrën zyrtare të MPJ-së së Holandës.

Çështja është ngritur në korrespodencat e shtetit holandez dhe Dhomave të Specializuara pas kërkesës së gjykatës për lehtësimin e vizës për njërin nga prindërit e të paraburgosurve në Hagë në muajin mars të këtij viti.

“Ministria konfirmon se rasti i lartpërmendur është komunikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me postë në mars të 2022-ës, kur shtetit pritës iu kërkua të ofrojë ndihmë për ofrimin e vizave për tre anëtarë të familjes për një vizitë familjare tek njëri nga të paraburgosurit në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë”, pohon qeveria holandeze.

Por, kërkesa e Dhomave të Specializuar është refuzuar nga shteti holandez, bazuar në Marrëveshjen e Shtetit Pritës.

“Më pas është vënë re se aplikimi për vizë kishte të bënte me babain e të paraburgosurit”, thuhet në shkresë. “Kjo nxiti vendimin e shtetit pritës për të mos lehtësuar vizë për babain në përputhje me politikat (ligjet) në vend”.

Ministria holandeze thotë se vendimi për refuzimin e lehtësimit të vizës për njërin nga prindërit e të paraburgosurve në Hagë, i është komunikuar Dhomave të Specializuara më 10 dhe 15 mars 2022.

Letra vë në pah shkeljen e marrëveshjes në një rast më 2021, kur shteti holandez kishte lejuar vizitën e një prindi të të akuzuarve për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.

Sipas MPJ-së holandeze, rasti përbënte një keqkomunikim mes institucioneve.

“Më 4 qershor 2021 Dhomat e Specializuara nuk ishin informuar siç duhet nga shteti pritës me e-mail. Për më tepër, shteti pritës, për arsye të panjohura, lehtësoi gabimisht vizën për babain e të paraburgosurit në fjalë në shtator të 2021-ës”, thuhet në letër-qëndrimin e shtetit holandez.

Për këtë çështje, Paparaci ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Holandë, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje. /Paparaci.com

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci