Jetmire Vrenezi mund të humbë mandatin e deputetes pasi u dënua të martën me tri vite burgim dhe dy mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mandati të saj mund të anulohet automatikisht në qoftë se deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje i vërtetohet dënimi nga Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht aktgjykimi bëhet i formës së prerë, raporton Paparaci.
Ndaj vendimit të shkallës së parë, ajo ka të drejtë të ankimimit në Apel.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 70, paragrafi 3, pika 6, thekson se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm “nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.”
Njëjtë thuhet edhe në Ligjin nr.03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku ceket se një deputeti i përfundon para kohe mandati kur ndaj tij është shqiptuar dënim i formës së prerë me burgim në kohëzgjatje për një ose më shumë vjet burgim.
“1.6. Nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg” – thuhet në nenin 8 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili nen flet për përfundimin e mandatit të deputetit.
Sipas ligjit në fjalë, nuk bëhet e ditur nëse deputeti me automatizëm e humb mandatin apo i njëjti duhet të jap dorëheqje.
Në një rast tjetër, sipas ligjit në fjalë, deputeti e humb mandatin edhe në raste kur bëhet i paaftë për të ushtruar funksionin e tij apo nëse deputeti për gjashtë muaj nuk merr pjesë në sesionet plenare të Kuvendit ose në mbledhjet e komisioneve, ku është anëtar.
Por për këto dy raste, ligji ka paraparë që Komisioni për Mandate dhe Imunitet t’i propozon Kuvendit nxjerrjen e vendimit për përfundim të mandatit të deputetit, e pastaj Kuvendi me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm të votojnë për përfundimin e mandatit të deputetit.
“Për rastet nga nën-paragrafët 1.4 dhe 1.5. të paragrafit 1 të këtij neni vendimin për përfundimin e mandatit të deputetit e nxjerr Kuvendi, me dy te tretat (2/3) e votave të deputeteve të pranishëm, të cilët votojnë sipas propozimit të Komisionit për Mandate dhe Imunitet”, thuhet në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit e ka paraparë edhe Rregullorja e Kuvendit,
Sipas kësaj rregullore, në nenin 25, pikën d, njëjtë sikurse Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ka paraparë që deputeti e humb mandatin në raste se dënohet për ndonjë vepër penale me një vit e më shumë burgim.
“d) Dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet”, thuhet në pikën e të nenit 25 të Rregullores e Kuvendit, që flet për humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit.
Deputetja Vrenezi ende nuk është deklaruar mbi këtë çështje.
Ndaj saj, ishte ngritur aktakuzë më 2019 pasi e njëjta dyshohej se në cilësinë e inspektores së ndërtimit në Prizren, i ka tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, ajo bashkë me pesë të akuzuarit e tjerë realizuan rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Megjithatë, bashkë me Vrenezin u dënua edhe Islam Thaqi me tri vite burgim dhe dy mijë euro gjobë.
Ndërkaq, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Raste kur deputetët kanë dhënë dorëheqje ose dorëzuar mandatin ka pasur edhe në të kaluarën.
Ish-deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Fadil Demaku, kishin dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit pasi ndaj tyre ishin konfirmuar dënimet me mbi një vit burg edhe nga Gjykata e Apelit për vepra penale që lidhen me krime të luftës.
