Gjermania konfirmoi sot rastin e parë të lisë së majmunëve, njoftoi Instituti për Mikrobiologji Bundeswehr në Mynih.
Sipas Deutsche Welle, bëhet fjalë për një pacient nga shteti i Bajernit, i cili shfaqi karakteristikat kryesore të sëmundjes.
Më herët gjatë ditës së sotme, edhe Franca konfirmoi rastin e parë të lisë së majmunëve.
Rasti i parë i infeksionit është identifikuar në rajonin francez të Ile de France, konfirmoi sot Ministria e Shëndetësisë e atij vendi.
Sipas ministrisë, infeksioni është konfirmuar tek një 29-vjeçar dhe ai është dërguar në izolim. Sipas informacioneve jozyrtare, ai kohët e fundit nuk ka qenë në asnjë shtet ku janë regjistruar raste të reja.
Rasti i parë në Evropë u konfirmua më 7 maj. Bëhet fjalë për një person të infektuar në Angli. Sëmundja infektuese më pas u konfirmua në Portugali (14 raste, të gjithë meshkuj të rinj), Spanja raportoi shtatë raste, ndërsa një rast u raportua në Suedi dhe Itali.
Lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral i ngjashëm me linë e njeriut, megjithëse më i lehtë, i regjistruar për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos në vitet 1970. Numri i rasteve në Afrikën Perëndimore është rritur në dekadën e fundit.
Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke dhe skuqje të lëkurës që fillojnë në fytyrë dhe përhapen në pjesën tjetër të trupit.
