Në ditën kur Kosova nuk e regjistroi asnjë rast pozitiv me koronavirus, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se vendi e ka shkallën më të lartë të të vaksinuarve, e atë më të ulët të vdekjeve nga COVID-19 në rajon.
Kurti shkroi të dielën në Facebbok se për ta mbajtur këtë situatë, duhet që qytetarët të vaksinohen me dy doza të vaksinës anti-COVID e me atë përforcuese pas tre muajsh “për të mbrojtur vetveten dhe njëri-tjetrin”.
“Si sot para një viti Qeveria e nënshkroi kontratën për sigurimin e vaksinave. Për vetëm dy muaj, negociuam dhe lidhëm kontratë drejtpërsëdrejti me prodhuesin Pfizer, kontraktuam vaksina të miratuara edhe nga rregullatori evropian, edhe ai amerikan. Ky furnizim dhe donacionet nga shtetet mike, ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit”, shkroi ai.
