Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se liberalizimi i vizave për kosovarët është e drejtë bazike njerëzore sot.
Ai thotë se Kosova ka të përmbushura kriteret e përcaktuara tashmë, teksa shtoi se çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi; padrejtësi e rëndë madje.
“Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike”, deklaroi deputeti opozitar.
Sipas tij, LDK-ja këtë rol do ta ushtrojë.
“Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorrëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi”, shtoi ai.
“Tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm – Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan”, përfundoi i pari i LDK-së në Facebook.
