fbpx

Të fundit

Fejzullahu: Marrëveshja për energjinë nuk është më e mira e mundshme

Marrëveshja që Kosova e Serbia kanë arritur për çështjen e energjisë në katër komunat veriore të Kosovës nuk është më e mira e mundshme. Kështu ka thënë kryetari i të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu.

Nuk deshi të komentoj shumë, por megjithatë, Fejzuallahu tha se si anë pozitive mund të shihet se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut- KOSTT, do të ketë qasje në asetet e veta në veri të Mitrovicës dhe se buxheti s’do të pësojë humbje nga mospagesa e energjisë.

“Duhet të themi se nuk është më e mira e mundshme. Do të ishte më mirë që një produkt, si energjia, të paguhej nga të gjithë qytetarët… ka pasur pengesa politike e strukturat paralele. Edhe atëherë edhe tani ka pas pengesa, por me optimizëm tash e tutje s’do të kemi humbje nga ana e KOSTT-it për shkak të shfrytëzimit të aseteve nga Serbia e s’do të ketë humbje të buxhetit”, ka thënë ai në KTV.

Sipas tij, për shkak të marrëveshjes së Brukselit, licenca për “Elektroseverin”, e lëshuar të premten, ka disa specifika.

“Është e kufizuar në katër komunat në veri. Do të duhej të diskutonim të mos ketë këso pengesa e të ishte e zakonshme. Por janë aktivitete të pazakonta të furnizuesit, siç janë ato të mirëmbajtjes që s’është e zakonshme që ta ketë çdo furnizues… Ka qenë vërejtje kryesore që e kemi pasur. Ka qenë ndër shqetësimet që e kemi pasur edhe në të kaluarën. Parimisht ‘Elektroseveri’ s’do të duhej të ishte, meqenëse merret veç me furnizim, të kishte barrën shtesë të aktiviteteve të mirëmbajtjes. KEDS-i, si i licencuar për aktivitete të OSHC-së, do të ishte më mirë të kryente edhe në veri”, ka thënë ai.

Sipas tij, ZRRE-ja ka refuzuar aplikacionin për licencim si operator të sistemit të shpërndarjes.

“Kërkesa e ‘Elektroseverit’ ka qenë edhe për furnizim edhe për OSHC. Por ZRRE-ja ka refuzuar aplikacionin për licencim si operator të sistemit të shpërndarjes. Me legjislacion e kemi monopol natyror dhe një operator të transmisionit. Me këtë marrëveshje pse s’iu lëshua licenca, kushti kryesor ka qenë që të kemi qasje në asetet e transmisionit, në nënstacionin e Valaçit dhe në asetet e distribucionit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nënstacioni i Valaçit do të kontrollohet nga KOSTT-i. Ai ka thënë se KOSTT-i dhe KEDS-i kanë qasje të pakufizuar në asetet e tyre në katër komunat veriore.

“Meqenëse kanë insistuar që të jenë pjesë përbërëse edhe në nënstacion, kanë insistuar edhe që planin e investimeve të jetë pjesë e përpilimit ët raporteve. Me legjislacion s’i jepet dhe e kemi refuzuar këtë kërkesë. ‘Elektroseveri’ ka të drejtë gjatë dërgimit të planit zhvillimor t’i dërgojë komentet…. por asnjë të drejtë për qasjen në nënstacionin e Valaçit, pos të drejtave si furnizuesit tjerë”, ka thënë tutje Fejzullahu.

Anë pozitive të “Elektroseverit”, Fejzullahu e ka quajtur regjistrimin e saj sipas legjislacioneve të Kosovës, edhe pse është degë e një kompanie shtetërore në Serbi.

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci