Të fundit

Kurti nga Prevalla flet për mbrojtjen e parasë publike

Mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në sesionin e dytë të takimit me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Kurti theksoi se si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit, kemi punuar në ndërtimin e mekanizmave që ndikojnë në avansimin e sistemit të buxhetimit e shpenzimit, e deri tek vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie.

“Në këtë drejtim, kemi punuar në koncept-dokumentin për menaxhimin e financave publike, që shënon hapin e parë në drejtim të avansimit të legjislacionit i cili ndërlidhet me forcimin e sistemit aktual të financave publike dhe adresimin e mangësive në arkitekturën aktuale administrative”, tha ai.

Duke folur për angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nivelit komunal me qëllim të rritjes se mirëqenies së qytetarëve, kryeministri tha se si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32 për qind.

“Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ”, tha Kurti.

Ai rikujtoi nënshkrimin me shumë komuna të nismës Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, përmes së cilës synohet përmirësimi i performancës ekonomike, nxitja e inovacioneve për të krijuar sektorë të rinj të biznesit, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës sonë e të brezave që do të vijnë pas nesh.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli për ridizajnimin e kornizës ligjore për financat publike që ka për qëllim që të sigurohet menaxhim më i mirë dhe më i përgjegjshëm i parasë publike. Po ashtu, kemi në plan që në nivel kombëtar të trajtojmë çështjet problematike, siç janë ato për furnizimin me ujin e pijes, ambientin, por edhe edukimin e hershëm të fëmijëve.

Kryetarët dhe nënkryetarët e komunave gjatë diskutimit folën për problemet në komunat e tyre dhe nevojën për bashkërendim më të intensifikuar me ministritë e linjës. Si probleme kryesore që kërkojnë zgjidhje me prioritet për të rritur investimet brenda vendit dhe ato të huaja, ata theksuan përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe për ujitje të tokave bujqësore, nevojën për trajtimin e ujërave të zeza dhe të përpunimit të mbeturinave, mungesën e inspektorëve komunalë e të tjera.

Kryeministri Kurti u kërkoi udhëheqësve komunalë që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe të bashkërendohen më shumë me mërgimtarët nga komunat e tyre për rritjen e investimeve në vendlindje.

Takimi punues me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Redžepi,
I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
Të nderuar kryetarë e nënkryetarë të komunave,
Të nderuar pjesëmarrës,

Mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike. Si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit, kemi punuar në ndërtimin e mekanizmave të cilët ndikojnë në avansimin e sistemit të buxhetimit e shpenzimit, deri tek vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie.

Në këtë drejtim, kemi punuar në koncept-dokumentin për menaxhimin e financave publike, që shënon hapin e parë në drejtim të avansimit të legjislacionit i cili ndërlidhet me forcimin e sistemit aktual të financave publike dhe adresimin e mangësive në arkitekturën aktuale administrative.

Kemi filluar ndërlidhjen e sistemeve të ndryshme elektronike, duke realizuar kështu edhe agjendën dixhitale, për të siguruar disponueshmërinë e mjeteve buxhetore për realizimin e projekteve të ndryshme dhe lehtësimin e barrës administrative për disa nga zyrtarët.

Kemi punuar edhe për mbështetjen e nivelit komunal ashtu që të rrisim edhe më tej mirëqenien e qytetarëve. Si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32%. Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ.

Me shumë nga komunat, kemi nënshkruar bashkë nismën Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme. Përmes saj, synojmë të përmirësojmë performancën ekonomike, të nxisim inovacione për të krijuar sektorë të rinj të biznesit, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës sonë e të brezave që do të vijnë pas nesh.

Në Kuvendin e Republikës kemi dorëzuar Projektligjin për Borxhin Publik dhe Garancitë Shtetërore, i cili parasheh mekanizma për huamarrje nga niveli komunal me qëllim të ofrimit të mundësive shtesë nga Qeveria për komunat për të realizuar projektet e tyre kapitale. Pra, duke ofruar fleksibilitetin e nevojshëm për zbatimin më të shpejtë të projekteve për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë.

Po ashtu, jemi duke punuar në Projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal në të cilin do të avancojmë formulat për ndarjen e granteve ekzistuese dhe do të shtojmë Grantin e Katërt dhe Grantin për Shërbimet Sociale. Përmes Grantit të Katërt do të sigurojmë ndarje të veçanta buxhetore për realizimin e projekteve të ndryshme kapitale të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, kurse përmes Grantit për Shërbimet Sociale do të sigurojmë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale që ofrohen ndaj grupeve më të cenueshme të shoqërisë.

Me Programin qeverisës, vizioni ynë është krijimi i qeverisjes lokale të qëndrueshme, të hapur dhe me mundësi për të gjithë, të cilën synojmë të arrijmë me anë të rritjes së autonomisë lokale dhe forcimit të aftësisë së komunave për shërbime më të mira.

Andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua ta konfirmoj përkushtimin për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm me komunat.

Faleminderit.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci