Kombëtarja e Kosovës në Basketboll ka pësuar humbje turpëruese përball Danimarkës me rezultat 105:71.
Pas një fillimi të barabartë, vendasit për një nuancë ishin më të mirë, për të krijuar një epërsi të lehtë, që e shtuan me kalimin e minutave, ku më e larta ishte 26:14, kurse pesë pikë radhazi nga dardanët bën që çereku i parë të përfundojë 26:19.
Epërsia e danezëve u ngrit sërish në periudhën e dytë, 32:21, megjithatë basketbollistët e Kosovës nuk u dorëzuan për të ngushtuar shifrat në 38:34, por në fund të kësaj pjese, Danimarka kishte një seri të suksesshme për të shkuar në pushim me rezultat 46:36.
Dallimi më i madh u bë në periodën e tretë, ku vendasit ishin më të mirë dhe arritën epërsi deri në 26 pikë, 73:47, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 76:53. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte shumë ndryshime dhe Danimarka fitoi me rezultat 105:71.
Te Kosova u dalluan Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi me nga 17 pikë. Kosova përfundon grupin me një fitore dhe tri humbje, ndërsa Danimarka dhe Norvegjia kanë nga dy fitore e një humbje. Këto dy Përfaqësuese do të takohen të dielën për vendin e parë.
Nga katër ndeshjet e zhvilluara në kuadër të parakualfikimeve për Eurobasket 2025 Kosova ka shëmuar vetëm një fitore, ndërkaq ka pësuar tre humbje.
