Të fundit

Afera që dridhi Brukselin – historia e proceseve të zbuluara nga një gazetar

Disa hulumtime të gazetarit Vehbi Kajtazi, në vitin 2014 kishte vënë në pah se si zyrtarë të lartë të EULEX-it dyshohet se merrnin ryshfet për të mbyllur raste kriminale. Pasi u publikuan një mori shkrimesh në Koha Ditore, filloi edhe persekutimi ndaj ish-prokurores së EULEX-it që po hetonte “peshqit e mëdhenj”, Maria Bamieh.

Bëhet fjalë për ish-kryeprokuroren e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, të cilët kishin rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit duke komunikuar dhe takuar sekserë të ndryshëm.

Ata, besohet se ishin përfshirë në afera për mbylljen e rastin penal kundër Fatmir Limajt, Ilir Tolajt dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”. Ish-prokurorja Maria Bamieh drejtonte gishtin në drejtim të ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Jonathan Ratel për pengim të çdo hetimi kundër tyre dhe pati hapur procedura disiplinore kundër saj.

Ndërkohë, Ratel, pengonte hetimet penale të paktën edhe në një rast të krimit të organizuar kundër një grupi mbi 10 personash në krye me një deputet të Parisë Demokratike të Kosovës

Sipas një afere të zbuluar nga gazetari Vehbi Kajtazi më 27 tetor të 2014-s, Maria Bamieh, e cila tash së fundmi e fitoi një proces gjyqësor dhe arriti një marrëveshje me Britaninë e Madhe për t’i marrë rreth gjysmë milioni euro, kishte siguruar prova se dy prej zyrtarëve me të lartë të EULEX-it kanë marrë ryshfet për të mbyllur të paktën tri raste të mëdha kriminale.

Megjithatë, kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit kishin rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit duke komunikuar dhe takuar sekserë të ndryshëm.

Ata, besohet se ishin përfshirë në afera për mbylljen e rastin penal kundër Fatmir Limajt, Ilir Tolajt dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”. Përfshirja e tyre në veprime të rënda joligjore konfirmohet në përgjime telefonike të hetimeve dhe në biseda të zyrtarëve të EULEX-it.

Gishtin kundër tyre shoqëruar me materiale konkrete e pati drejtuar ish-prokurorja e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Maria Bamieh.

Ajo akuzonte po ashtu ish-zv/kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Jonathan Ratel i cili deri në ndryshimin e mandatit të EULEX-it ishte kryeprokuror, se ka penguar çdo hetim kundër tyre dhe ka hapur procedura disiplinore kundër saj për parkim veture, apo marrje të vajzës në zyrë siç thotë ajo në shenjë hakmarrjeje.

Ratel, në cilësinë e shefit të Prokurorisë atëherë pati penguar hetimet penale të paktën edhe në një rast të krimit të organizuar kundër një grupi mbi 10 personash në krye me një ish-deputet të Parisë Demokratike të Kosovës, botuesin e një gazete kosovare, disa biznesmenë lidhur me qindra hektarë prona në Prishtinë dhe rreth saj.

Ishte dashur ndërhyrje nga Brukseli për t’u rihapur këto hetime. Kjo u konfirmua nga prokurorë tjerë të EULEX-it të cilët janë incizuar nga një person, emër i njohur për redaksinë. Një letër drejtuar Brukselit, ka ndikuar për të rihapur këtë rast.

Shefi i atëhershëm i EULEX-it, Gabriele Meucci, e pati bërë një koment. Thoshte se akuzat vinë nga njerëz të pakënaqur për shkak të largimit nga puna.

“Misioni ka ekip të profesionistëve të dedikuar, të cilët punojnë në një ambient të vështire. Ata e gëzojnë përkrahjen time të plotë”, ka thënë shefi i EULEX-it.

“Ne jemi këtu të implementojmë mandatin që është miratuar sipas shkëmbimit të letrave. Për të implementuar këtë mandat, misioni duhej te ristrukturohet dhe rikonfigurohet. Si në çdo organizatë, një proces i tillë nënkupton që mund te ketë të dëshpëruar mes atyre që duhet të largohen”, u shprehte ai.

“Sido që të jetë, ky është një proces neutral dhe ne jemi këtu të punojmë me autoritetet e Kosovës. E vetmja mënyre e qëndrueshme për të ecur përpara, është që autoritetet e Kosovës te jenë përgjegjëse. Prandaj unë i marrë parasysh disa nga akuzat e publikuara ne shtyp”.

Por, letrat denoncuese të prokurores së atëhershme Bamieh dhe përgjimet telefonike janë bërë shumë kohë para rikonfigurimit të EULEX-it. Njëra prej tyre mbanë datën 26 maj 2012.

Bamieh, në Kosovë ka ardhur në vitin 2008 dhe ka pasur rastet më të mëdha penale, shumicën e të cilave ka arritur t’i fitojë. Bamieh deklaronte se nuk nuk beson në drejtësinë e EULEX-it. Thotë se kosovarët do të zhgënjehen kur ta kuptojnë se prokurorë dhe gjyqtarë të EULEX-it janë përfshirë në korrupsion.

Pyet se si do t’i arsyetohen, ish-shefit të “Task forcës” kundër korrupsionit, Nazmi Mustafi për dënimin që i kanë dhënë lidhur me veprime të njëjta me ato që janë të përfshirë edhe zyrtarë të EULEX-it.

Gazetari Kajtazi kishte siguruar dokumente të ndryshme, përfshirë disa shkresa të Bamieh drejtuar eprorëve të saj dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në këto shkresa dhe komunikime të ndryshme komunikime flitet për raste të ndryshme hetimore, ndërhyrje nga jashtë, marrje ryshfeti, kërcënime të prokurorëve dhe mos-mbrojtje të tyre nga ana e EULEX-it.

Këto dyshime hidhen nga disa letra të ish-prokurores së Mbretërisë së Bashkuar, Maria Bamieh e cila ishte kërcënuar se do të sulmohej fizikisht nga njerëzit e Ilir Tolajt.

Në këto komunikime përmendeshin takime që Francesko Florit kishte pasur me personat Ejup Kamberaj, Rexhep Garaj, Imer Ajeti. Përmendet se 300 mijë euro Florit i kishte pasur në llogari bankare. Florit e pranon se e ka takuar këtë person disa herë. Ai e pranon po ashtu se personi Ejup Kamberi i ka folur për rastin Limaj, por pretendon se në atë moment e ka përzënë atë. Shumica e këtyre rrethanave dëshmohen me përgjimet telefonike që ka siguruar gazeta.

Aty po ashtu përmenden dy raste hetimore kundër ish-prokurores Bamieh për parking ilegal dhe angazhim në punë të Diana Berishës, praktikante. Ajo akuzon EULEX-in se ka dashur ta shantazhojë nëpërmjet këtyre dy rasteve për shkak se ajo kishte dëshmi prej përgjimeve se Jaroslava Novotna dhe Francesko Florit po takoheshin me sekserët e Ilir Tolajt.

Rastet në të cilët dyshohet se është dhënë ryshfet dhe ka pasur ndërhyrje nga jashtë kanë përfunduar në favor të disa të akuzuarve.

Ilir Tolaj ka qenë sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ka qenë i akuzuar për shumë vepra penale të rënda. Por, është dënuar vetëm për dy prej tyre më 18 muaj burgim. Gjatë hetimeve sipas përgjimeve telefonike në këtë proces ka pasur ndërhyrje të shumta.

Pos lejimit të hyrjes së njerëzve të paautorizuar dhe të dyshuar në Burgun e Dubravës me lejen e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, njerëz të Tolajt kishin takuar ish-kreun e asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Françesko Florit dhe ish-kryeprokuroren e EULEX-it, Jaroslava Novotna.

Tolajn e kishin vizituar në burg Astrit Haraqija, ish-zëvendësministër i Financave, Dardan Stublla dhe Imer Ajeti. Një raport policor theksonte se drejtori i burgut i kishte lejuar këto vizita me urdhër të Hajredin Kuçit, ministër i atëhershëm i Drejtësisë.

Bamieh kishte nisur procedurat hetimore për vizitën e Astrit Haraçisë në Burgun e Dubravës me lejen e ish-ministrit Kuçi. Vendimin e kishte vetëm ajo të printuar. Vetëm një kopje në letër ia kishte dhënë kryeprokurores Jaroslava Novotna. Por, gjashtë orë më vonë vendimi kishte arritur në duart e bashkëshortes së Ilir Tolajt, Jasmina Tolaj.

“…Jaroslava më kërkonte kopjen e vendimit të nisjes së procedurës së hetimit të rastit të vizitave në burg. Unë ia dhashë vetëm versionin anglisht të vendimit. Këtë ia dhashë rreth orës 6:30 pasdite dhe rreth orës një të natës në ditën pasuese të 19 qershorit (2012), të dyshuarit po thoshin në përgjime se dikush në zyrën e Jaroslavas e kishte dosjen dhe se ata e kishin vetëm në gjuhën angleze”, thotë Bamieh në një kallëzim që u ka bërë autoriteteve më të larta në EULEX-it.

“Kështu personi që e kishte, ia kishte përkthyer përmbajtjen të dyshuarve. Ndërmjetësuesi Rexhep Gara pastaj i telefonon Imer Ajetit dhe i thotë se kush janë të dyshuarit në vendim dhe pastaj thotë se do ta sillnin personin nga zyra e Jaroslavas te Gruaja e Tolajt meqë ajo mund të lexojë anglisht”, shkruante ish-prokurorja Bamieh.

Një ndër rastet më të mëdha të krimit të organizuar në të cilën janë të përfshirë shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës është ai i shpërthimit në lokalin Sekiraça dhe vrasja e trefishtë e familjes Baftiu.

Njëri prej të arrestuarve dhe të akuzuarve të paktën dy herë ka qenë Nysret Cena. Por, ai gjithmonë ka dalë pastër. Dyshimet hidhen se ky rezultat është arritur për shkak të ryshfetit të dhënë prej 300 mijë eurosh. Gjithë shuma që kishte kërkuar për t’i shpallur të pafajshëm edhe të akuzuarit tjerë, Besnik Hasanin dhe Shpend Qërimin dyshohet se kishte qenë 750 mijë euro. Ata nuk i kanë paguar këtë shumë dhe janë dënuar në dy rastet, në njërin me nga 30 vjet burgim e në tjetrin me nga 25 vjet.

Në gjykimin e policëve të rajonit të Ferizajt për shpërthimin në lokalin Sekiraça është përmendur hetimi kundër Françesko Florit. Hetimi konfirmohet nga një vendim i Gjykatës së lartë të Tiranës që ka marrë përsipër verifikimin. Nga ky vendim shihet se i dyshuar është edhe avokati Mahmut Halimi. Halimi nuk përmendet në dosjen e Bamieh por vetëm në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Atë kohë ai mbronte Besnik Hasanin. Ka mohuar të gjitha dyshimet. Ka thënë se akuzat mund t’i jenë bërë nga Florim Hasani për shkak se i kanë mbetur borxh mbi 30 mijë euro.

Bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, negociatat e ryshfetit besohet se janë bërë në qytetin e Durrësit në verën e vitit 2009. Por, Hasani dhe Qërimi nuk kanë arritur të japin shumën e nevojshme. Këtë besohet se e ka bërë vetëm Cena i cili ishte shpallur i pafajshëm në dy procese, ndërsa dy të tjerët ishin dënuar po në ato dy procese gjyqësore.

Kur Cena ishte shpallur i pafajshëm në rastin e shpërthimit nga trupi gjykues i kryesuar nga Francesko Florit, ishte thënë se përgjimet telefonike kanë treguar se ai nuk ndodhej me të akuzuarit tjerë.

Besnik Hasani, ish-pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, ish-pjesëtar i Njësisë Antidrogë, janë dënuar për shkak se më 24 shtator 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kishin vënë eksploziv në lokalin e Enver Sekiraqës që kishte shkaktuar vdekjen e dy personave dhe ishin plagosur 12 të tjerë. Shpërthimi ishte kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza.

Ata janë dënuar për vrasjen e trefishtë që ishte kryer më ndërmjet 27-28 shtatorit 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë të Ferizajt. Por këtë vrasje sipas një dëshmitari e kishte kryer Nysret Cena. Ky dëshmitar i ka thënë prokurorit Reshat Millaku se nuk guxon të dëshmojë për shkak se mund ta vrasin.

E, rasti i tretë që përmendej se mund të jetë dhënë ryshfet është ai i Fatmir Limajt, ish-ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit. Aso kohe ai kishte dy procese, për korrupsion dhe të krimeve të luftës. Ndërkohë, për rastin Kleçka ishte shpallur i pafajshëm, derisa për atë të korrupsionit kanë rënë disa akuza tashmë.

Para se këto shkrime të publikoheshin, gazetari Kajtazi kishte marrë kërcënime të shumta nga zyrtarët e EULEX-it.

Për këtë çështje, Organizata “Reporterët pa kufi”  pati reaguar ndaj kërcënimeve që zyrtarë të EULEX-it i bënin Kajtazit, para publikimit të serisë së shkrimeve rreth dyshimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë të EULEX-it.

Një sjellje e tillë është çështje serioze brenda misionit të BE-së, synimi i të cilit është të ndihmojë rivendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe të instalojë respektimin për vlerat evropiane demokratike, thuhej në reagimin e “Reporterëve pa kufi”, në fund të vitit 2014.

“Duke i bërë presion një gazetari investigues, misioni i EULEX-it po vepron në kundërshtim me parimet fondamentale të Bashkimit Evropian për lirinë e informimit”, pati thënë sekretari i atëhershëm përgjithshëm i “Reporterëve pa kufi”, Christopher Deloire.

Megjithatë, më 10 qershor 2015, në Prishtinë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhuroi tre çmime për Çmimin e BE-së për Gazetari Hulumtuese.

Çmimi i parë iu dha Vehbi Kajtazit, gazetar i Koha Ditore, për storjen investigative “Dyshime të forta për korrupsionin në EULEX”. Çmimi u dorëzua nga Nehat Islami.

Çmimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese në Kosovë, viti 2015/ Foto: SEEmediaobservatory
Çmimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese në Kosovë, viti 2015/ Foto: SEEmediaobservatory
Çmimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese në Kosovë, viti 2015/ Foto: SEEmediaobservatory

Pas gati tetë vitesh, ish-prokurorja e EULEX, Maria Bamieh e shkarkuar nga puna në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar pasi sinjalizoi për dyshimet për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë(EULEX), ka rënë dakord për një marrëveshje me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’i marrë 423 mijë funta.

Maria Bamieh, pretendoi se gjatë tetë viteve të fundit se Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë, raporton The Guardian.

Bamieh ka thënë se në vend të kësaj zyrtarët qeveritarë të Britanisë i thanë asaj që të injoronte provat e dukshme të marrëveshjes së fshehtë në misionin e BE-së për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX.

Kërkesa e saj për punësim do të shqyrtohej nga një gjykatë punësimi në maj dhe qershor të këtij viti, por një shumë prej 423,000 funta u ra dakord pak para seancës së parë pa pranimin e përgjegjësisë. Zyra e Jashtme e Britanisë tha se vazhdoi të mohonte pretendimet e Bamieh.

Bamieh tha për Guardian se ajo duhej të ishte lavdëruar për ekspozimin e provave të korrupsionit, por në vend të kësaj u keqtrajtua dhe u detyrua të largohej nga puna.

“Besoj se duhet të isha lavdëruar dhe mbështetur nga Zyra e Jashtme e Britanisë (FCDO) për ngritjen e shqetësimeve të mia rreth korrupsionit të mundshëm brenda EULEX-it dhe trajtimit që kam pësuar më pas, por në vend të kësaj u ndjeva e braktisur,” tha ajo.

Bamieh ka punuar në Kosovë si prokurore ndërkombëtare për EULEX-in, kur për herë të parë ngriti shqetësimet për korrupsion brenda misionit në mesin e vitit 2012.

Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë do t’i marrë rreth 500 mijë euro nga Britania

 

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci