Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli është i interesuar për blerjen e aksioneve të klubit të futbollit, Prishtina, ka thënë aksionari i këtij klubi, Remzi Ejupi.
Pas krizës financiare, problemeve me udhëheqjen dhe rezultateve të dobëta në edicionin e fundit, klubi i futbollit Prishtina ka mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor.
Nga ky kuvend ku pritej të sqaroheshin shumë gjëra dhe klubi të fillonte punën me drejtuesit e ri, përpos një bordi të ri të përkohshëm nuk është marrë ndonjë vendim tjetër konkret.
Përkundër kësaj është vendosur që pas një muaji të mbahet edhe një tjetër kuvend, ndërsa presidenti i tanishëm i klubit, Remzi Ejupi ka thënë se ka shumë grupe të interesuara për ta marrë drejtimin e klubit prishtinas.
Në mesin e të interesuarve sipas Ejupi është edhe ish-ministri i punëve të jashtme të Kosovës dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli.
“Kuvendi ka përfunduar. Nuk ka ndryshur ndonjë gjë. Do të vijnë aksionarë të rinj. Kuvendi shtyhet për rreth një muaj deri sa tër rregullohet krejt çështja e mjeteve dhe huazimeve që janë dhënë klubit. Presim të ketë investitorë serioz me potencial të madh. Sot është bërë shikimi i aksioneve dhe dhënie e mjeteve deri më tani, unë kam deklaruar se nuk do të jem më president. Shpejtë do të zgjedhet bordi i ri, pasi që të vinë aksionarët e rinj”.
“Ka të interesuar shumë, është një grup nga Zvicra, është Behgjet Pacolli, ka të interesuar nga qyteti i Prishtinës. Janë tri grupe me potencial shumë të madh, në veçanti nga Zvicra. Por ne po ashtu kemi aksionarë të fortë në klub si Meridiani, Lesna, Beni Dona, unë dhe Rrahman Haradini. Kur të vjen dikush që i sjell 51 për qind të pareve, normal që ka qef që të ketë njerëz të ri”, ka thënë Remzi Ejupi për Insajderin, raporton Paparaci.
Remzi Ejupi dhe Behgjet Pacolli kishin bashkëpunuar edhe në të kaluarën. Në vitin 2012 ata kishin tentuar ta privatizonin Hotelin-Grand nga AKP-ja, mirëpo përpjekja e tyre ishte e pasuksesshme.
Procesi i shitjes së “Hotel Grand” ku ishin të përfshirë Ejupi dhe Pacolli ishte anuluar nga gjykatat në Kosovë.
Në bordin e ri teknik të klubit, i cili do të funksionojë deri në kuvendin e radhës janë emëruar: Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ismet Begolli, Rrahman Haradini dhe Hakif Gashi, emra këta të njohur edhe më herët te klubi prishtinas.
