Të fundit

Telashe me stafin në ministrinë e Hekuran Muratit – ish-koloneli Syla paguhet pa kontratë

Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve iu kanë shfaqur disa probleme me një ish-kolonel të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bëhet fjalë për Safet Sylën. Ai gjatë vitit 2021 u pagua nga shteti kundërligjshëm pasi nuk posedonte kontratë valide në një pozitë drejtuese në dikasterin e udhëhequr nga Hekuran Murati. Kjo ka ndodhur – në mes tjerash – për shkak të mungesës së informacioneve nga menaxhmenti i MF-së mbi krejt këtë çështje që çoi në mos-trajtimin e saj. Ndërkohë, Syla nuk ka qenë i qasshëm për Paparacin, pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar. 

Besfort Veseli

Gjatë vitit 2021, Ministria e Financave e ka paguar Safet Sylën në mungesë të akt-emërimit valid, pasi që kontrata e të njëjtit kishte skaduar më 31 dhjetor të 2020-s.

Ai është drejtor i Përgjithshëm në Zyrën për Çështjet e Trashëgimisë së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), raporton Paparaci.

Syla mban këtë pozitë prej më shumë se nëntë vitesh. Zyra për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në anën tjetër, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2021, Syla – ish-koloneli i UÇK-së, pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut – kishte vazhduar vijueshmërinë në mënyrë të rregullt në punë, çka edhe është dëshmuar me raportet e vijueshmërisë.

Megjithatë, në raportin e ZKA-së për vitin 2021 ndaj kësaj ministrie thuhet se sipas menaxherit të burimeve njerëzore shkak i kësaj gjendje ishte fuzionimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Transfereve.

Shkas tjetër është marrë edhe mungesa e informatës lidhur me këtë rast, teksa ka bërë që kjo çështje të mbetet e patrajtuar nga menaxhmenti i Ministrisë së Financave.

Kësisoj, Auditorja Gjenerale ka konstatuar se pagesa e të punësuarit dhe vijueshmëria në punë në mungesë të kontratës valide është në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke rrezikuar në pagesa të parregullta.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar “ministrin që duhet të sigurojë zgjidhjen e rastit për pozitën e lartcekur sipas kërkesave ligjore dhe në të njëjtë kohë të sigurojë se çdo pagesë bëhet në përputhje me kontratë valide”.

Paparaci ka provuar të marrë një përgjigje nga ish-koloneli Syla për këtë çështje, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm për mediumin.

Syla, një ish-epror i lartë i UÇK-së dhe i TMK-së, i cili qe i intervistuar 18 orë nga Gjykata Speciale më 2018, ka paraqitje tepër të rralla në mediumet vendore. Por, ai në një debat televiziv kishte thënë se nuk ekziston asnjë arkiv i luftës.

”Ne nuk kemi pasur asnjëherë arkiv të UÇK-së, nuk e di se cilat arkiva do t’i hapë kryeministri Kurti”, kishte deklaruar Syla në Debat Plus, më 10 maj.

Sipas ueb-faqes zyrtare të MPRS-së, disa prej detyrave dhe përgjegjësive të Divizionit për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së, janë edhe propozimi apo hartimi i dokumenteve të politikave për risistemimin e ish-pjesëtarëve të TMK-së.

Numri i të punësuarve në këtë divizion sipas të dhënave publike është katër. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci