Të fundit

Këshilli që nuk iu nënshtrua pushtetit shpall të kundërligjshëm vendimin e Nagavcit

Pas shkeljes së Kushtetutës, Arbërie Nagavci ka vepruar kundërligjshëm edhe në një tjetër vendim të saj, i cili është shfuqizuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. KPMShCK-ja ka konstatuar se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shkelur ligjin kur i ka shqiptuar masë disiplinore drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit. Vendimi i këshillit është marrë më 31 gusht, raporton Paparaci.

Besfort Veseli

Arbërie Nagavci është duke u ballafaquar me shkelje ligjore që kur është emëruar në krye të ministrisë së Arsimit.

Përveç humbjes në Gjykatën Kushtetuese më 8 prill të këtij viti kur ishte identifikuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e drejtuar nga Nagavci, ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në Komunën e Kamenicës, tashmë ajo ka pësuar disfatën e radhës.

Krejt kjo lidhet me një masë disiplinore ‘vërejtje’ që Nagavci ia kishte shqiptuar drejtorit të Inspektoratit, Defrim Gashi, ish-kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Arsyetimi i ministres ishte se nuk janë marrë masat adekuate nga ana e Inspektoratit të Arsimit lidhur me administrimin e testit të arritshmërisë.

Megjithatë, ky i fundit nuk u pajtua me vendimin e ministres Nagavci, që e kishte marrë më 6 korrik.

Kësisoj, Gashi i pakënaqur i drejtohet KPMShCK-së, 20 ditë pas atij vendimi që do të cilësohej si i jashtëligjshëm nga ana e Nagavcit.

Këshilli i cili nuk iu nënshtrua pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, pas administrimit të provave bëri të ditur se ankesa e Gashit është e bazuar, rrjedhimisht për disa arsye, duke obliguar ministren Nagavci ta shfuqizojë vendimin e saj.

Defrim Gashi, drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit

Sipas KPMShCK-së, Inspektorati i Arsimit nuk ka kompetencë të mbikëqyrë testin e arritshmërisë sepse nuk ka ndonjë akt specifik i cili përcakton kompetencat e IA-së në mbarëvajtjen e atij procesi.

Andaj, masa e shqiptuar nga Nagavci karshi Gashit është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, duke pasur parasysh që sipas ligjit për Inspektoratin e Arsimit, thuhet qartë se komisionet nëpër qendrat e testimit caktohen nga Ministria e Arsimit.

Bazuar në përshkrimin zyrtar, Inspektorati i Arsimit është organ ekzekutiv qendror për sigurimin e cilësisë, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit të MAShTI-t

Po ashtu, në vendimin e KPMShCK-së thuhet se në rastin konkret, ministrja Nagavci nuk ka arritur të konstatojë shkeljen e bërë nga Gashi dhe se masa disiplinore e shqiptuar ndaj tij është në kundërshtim me zyrtarët publik.

“Në të cekurat si më lartë, organi i punësimit, gjegjësisht Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Udhëheqësi i Njësisë së Burimeve Njerëzore janë të obliguar që pas pranimit të këtij vendimi, të ndërmarrë veprime juridike që masa disiplinore e shqiptuar ndaj ankuesit të largohet nga dosja personale e ankuesit në pajtim me këtë vendim”, vijon vendimi i KPMShCK-së, shkruan Paparaci.

KPMShCK-ja ka shfuqizuar masën disiplinore ndaj Gashit dhe e ka obliguar ministren Nagavci që ta zbatojë këtë vendim në përpikëri.

Megjithëkëtë, ministrja Nagavci edhe më parë kishte bërë shkelje edhe më të rëndë sesa kjo me masën disiplinore.

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës kishte gjetur më 8 prill se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e drejtuar nga ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qëndron Kastrati.

Përplasja e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me reformën në arsim, filloi menjëherë pasi Kastrati ndau rrugët me Vetëvendosjen.

Çështja e reformës ishte më e përfolura dhe mbase vendimtare, gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet komunale në Kamenicë.

Vetëvendosje e mposhti Kastratin me kandidatin e saj Kadri Rahimaj edhe mbi bazën e anulimit të reformës në arsim, e ku Rahimaj e kishte mbështetjen edhe të nivelit qendror, konkretisht të ministres Nagavci.

Për këtë, partia e Kastratit (PSD) dërgoi në Kushtetuese ministren Nagavci. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të saj, i jepte të drejtë PSD-së, ndërsa vendimin e ministres Nagavci e pati gjetur si jokushtetues.

Pas këtij Aktgjykimi, pati pasur reagime të shumta atëkohë nga PSD-ja dhe partitë parlamentare opozitare, ku mes tjerash, kërkohej edhe dorëheqja e ministres së Arsimit.

Ndonëse kjo nuk është hera e parë që ministrat e kryeministrit Albin Kurti e shkelin Kushtetutën, shefi i qeverisë kohë më parë kur komentonte mbi Kushtetutshmërinë e shkelësit e saj, nuk pati hezituar që këta të fundit t’i quante super-kriminelë. /Paparaci.com

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci