Të fundit

Vuçiq në Samitin e të Painkuadruarve: Dialogu me Kosovën nuk ka alternativë

Në Beograd të Serbisë po mbahet samiti dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.

Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalën e tij hyrëse tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit.

“Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes”, tha Vuçiq duke shtuar se Serbia është “një promovuese e idesë së multilateralizmit”.

Vuçiq gjatë fjalimit të tij foli edhe për çështjen e Kosovës. Ai tha se Serbia “lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara” dhe se është “e angazhuar për dialog” me Kosovën.

“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternativë”, tha Vuçiq.

Rusia merr pjesë në samit

Delegacionet u mirëpriten nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq dhe homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, vendi i të cilit mban udhëheqjen e Lëvizjes deri në vitin 2021.

Në samit po merr pjesë edhe Rusia pasi në korrik të këtij viti fitoi statusin e shtetit vëzhgues.

Lëvizja e të Painkuadruarve është grupi më i madh i shteteve pas Kombeve të Bashkuara.

Ideja për këtë lëvizje, siç nënkuptohet edhe në bazë të emrit, ishte të luajë rolin e një alternative politike për vendet që duan të shmangin zgjedhjen që t’i përkasin një blloku ushtarak-politik. Këto vende synonin të artikulojnë një qasje të pavarur të politikës së jashtme.

Themelimi i saj u bë më 1961 kur zyrtarë nga 25 vende u mblodhën në Konferencën e parë të Lëvizjes së Painkuadruarve në Beograd (atëbotë: Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë).

Në atë samit patën folur udhëheqës të atëhershëm, përfshirë kryeministrin e Indisë, Jawaharlal Nehru, presidentin e Egjiptit, Gamal Abdel Nasser dhe presidentin jugosllav Josip Broz Tito, me iniciativën e të cilëve u mbajt konferenca e parë gjashtë dekada më parë.

Masat e sigurisë në Beograd janë shtuar dhe mbi 3.000 policë janë angazhuar për të mbajtur rendin gjatë samitit që mbahet të hënën dhe të martën.

Si lindi Lëvizja e të Painkuadruarve?

Ideja e themelimit të Lëvizjes së të Painkuadruarve u shfaq gjatë rënies së sistemit kolonial dhe pasi lufta për pavarësi mori hov mes popujve të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine dhe rajoneve të tjera të botës, në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.

Termi “Të Painkuadruarit” u shpall për herë të parë nga kryeministri indian, Jawaharlal Nehru gjatë fjalimit të tij në 1954 në Shri Lankë. Parimet e Lëvizjes, ndër të tjera, janë: respekti i ndërsjellë për integritetin dhe sovranitetin territorial, mosagresioni ndaj njëri-tjetrit, barazia dhe përfitimi reciprok si dhe bashkëjetesa paqësore.

Ish-udhëheqësi jugosllav, Josip Broz Tito, konsiderohet si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Painkuadruarve.

Vendi i udhëhequr nga Tito ishte anëtar i Lëvizjes së Painkuadruarve deri në fillim të viteve 1990, kur u shpërbë për shkak të luftërave jugosllave. Më 1992 Jugosllavia u tërhoq zyrtarisht nga anëtarësia. Sot, lëvizja ka 120 anëtarë dhe 17 vende vëzhguese. Midis tyre janë Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina, nga ish Jugosllavia, si dhe Kina, Argjentina, Brazili dhe Ukraina.

Që nga themelimi i saj, Lëvizja nuk ka pasur një strukturë udhëheqëse formale, por kryesimin e saj e kanë bërë me rotacion vendet anëtare çdo tre vjet.

Pas rënies së Murit të Berlinit në 1989 dhe rënies së komunizmit në Evropën Lindore, u ngritën dilema për nevojën e ekzistimit të kësaj lëvzjeje por shumë shtete anëtare, të udhëhequra nga India, e cila ishte ndër vendet themeluese, ishin të mendimit se ajo duhet të vazhdojë të ekzistojë./rel.

Video nga Paradoks

Ekskluzive: E-maile, vendime, dëshmi që implikojnë direkt Rozeta Hajdarin në skandalin e Rezervave Shtetërore

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci