Kupa e Botës në Katar po shkon drejt fundit, por një nga stadiumet e saj tashmë është duke u çmontuar.
Siç shkruan sot një nga gazetat më të njohura boshnjake, Klix.ba, ka nisur puna për demontimin e stadiumit spektakolar “974”, i cili ndodhet në zonën Ras Abu Aboud të Dohas, për të cilin drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës shpresonin se mund ta zhvendosnin në Kosovë.
Stadiumi i quajtur “974” është një impiant i veçantë në shumë drejtime. Ai hyri në historinë e futbollit edhe para se të luhej një ndeshje e vetme në të. Gjegjësisht, e ka marrë këtë emër sepse është ndërtuar nga i njëjti numër kontejnerësh. Në të njëjtën kohë, 974 është numri ndërkombëtar i thirrjeve telefonike për Katarin.
Përveç kësaj, është stadiumi i parë në historinë e spektaklit botëror të futbollit që do të çmontohet plotësisht.
Plani është që impianti të transportohet, ndoshta me anije, në Uruguaj.
Në anën tjetër, siç shkruan media boshnjake, Kosova ka dorëzuar kërkesë zyrtare që stadiumin spektakolar nga Katari ta zhvendosë në Kosovë.
Por, më afër ta “rrëmbejë” këtë stadium është Uruguaji. Kombi i Amerikës së Jugut planifikon të rivendosë stadiumin në strukturën e tij origjinale dhe të jetë nikoqire e Kupës së Botës në vitin 2030.
Uruguai shpreson të presë Kupën e Botës pas tetë vjetësh dhe oferta e tyre do të jetë e përbashkët me Argjentinën, Kilin dhe Paraguajin.
Federata e Futbollit të Kosovës shpresonte që pas Botërorit të Katarit ta merrte si dhuratë stadiumin “974”, pasi kishin dorëzuar një kërkesë zyrtare në FIFA.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se ka gjasa të mëdha që stadiumi spektakolar me kapacitet prej 44 mijë ulëse t’i dhurohet shtetit të Kosovës për shkak të marrëdhënieve të mira me Federatën e Futbollit të Katarit, por duket se Uruguai i ka tejkaluar.
